Heqja e tatimit të dyfishtë, nënshkruhet marrëveshja me Gjermaninë
Burime zyrtare nga kuvendi bëjnë të ditur se shqyrtimi i kësaj marrëveshjeje në këtë Komision, vjen pas miratimit nga Komisioni për Çështjet Ligjore, Administratën Publike dhe të Drejtat e Njeriut. Sipas të njëjtave burime mësohet se marrëveshja luan një rol të rëndësishëm në kompleksin e faktorëve që garantojnë, favorizojnë dhe stimulojnë marrëdhëniet ekonomiko-tregtare ndërmjet të dyja vendeve. Ndërkohë që dispozitat e marrëveshjes, të cilat kanë përparësi ndaj legjislacioneve tatimore të të dyja vendeve, përcaktojnë mënyrat se si do të shmanget tatimi i dyfishtë, duke i dhënë të drejtën për tatimin e të ardhurave të caktuara vetëm njërit shtet, apo duke e ndarë këtë të drejtë ndërmjet dy shteteve, por pa e rënduar subjektin me tatim të dyfishtë. Gjithashtu, marrëveshja ka dispozita në bazë të të cilave shtetet shkëmbejnë informacione dhe bashkëpunojnë për parandalimin e evazionit fiskal nga subjektet që kanë veprimtari në të dyja vendet. Komisioni u shpreh unanimisht dakord për kalimin e këtij projektligji për miratim në seancë plenare.