Miss Shqipëria 2010, 452 bukuroshe në luftë për kurorën e bukurisë
Edicioni i 12-të i konkursit Miss Shqipëria 2010 do të zhvillohet këtë vit në kalanë e Gjirokastrës. Spektakli nga ku do të dalë vajza më e bukur e Shqipërisë, përmban në vetvete konkursin e bukurisë, atë të inteligjencës, si dhe një garë të aftësive artistike
të pjesëmarrësve. Këtë vit ky spektakël bukurie vjen me një formulë tjetër, ku nuk do të jenë ashtu si ka qenë traditë gjatë 11 viteve të zhvillimit të tij. Këtë vit do të jenë 33 konkurrente vajza të përzgjedhura, që do të konkurrojnë për kurorën e bukurisë shqiptare. Producenti i këtij spektakli Petri Bozo tregon se këtë vit ka pasur një pjesëmarrje shumë më të madhe të vajzave se sa në edicionet e tjera të këtij spektakli. Konkursi Miss Shqipëria këtë vit ka pasur një pjesëmarrje shumë të madhe. Për të konkurruar janë paraqitur deri tani 452 vajza, të cilat vinin jo vetëm brenda kufijve shqiptarë, por dhe jashtë tyre. Këtë vit do të ketë 33 vajza që përzgjidhen për këtë spektakël, pasi në 11 edicione të tij kanë qenë 31 konkurrente për më të bukurën, cilëson ndër të tjera producenti Bozo. Ky spektakël bukurie realizohet mes shumë vështirësive, të cilat nuk kanë munguar në asnjë edicion të tij. Producenti Petri Bozo tregon se edhe këtë vit ky spektakël nuk ka mbështetjen e MTKRS, megjithëse është bërë një kërkesë për mbështetje financiare që në muajin janar. Projektin ne e kemi paraqitur që në muajin janar pranë MTKRS, por asnjë përgjigje deri tani. Kjo nuk ndodh vetëm këtë vit, por ka ndodhur dhe në edicione të tjera të këtij spektakli, pohon Bozo. Këtë vit do të jetë kalaja e Gjirokastrës që do të mirëpresë këtë eveniment për të zgjedhur mbretëreshën e bukurisë shqiptare, e cila nga organizatorët është menduar si vendi më i përshtatshëm. Kalaja e Gjirokastrës mirëpret për herë të parë një eveniment të tillë bukurie, i cili do të zhvillohet dy net, më 31 qershor dhe me datë 1 korrik. Sa i takon mbështetjes këtë vit do të mbështetemi shumë dhe tek sponsorë privatë. Do të jenë firma të njohura, që do ta mbështesin këtë eveniment, thekson ndër të tjera producenti Petri Bozo. Kurora e bukurisë shqiptare i jep të drejtën vajzës fituese të përfaqësoje Shqipërinë, në një nga konkurset më të rëndësishëm të globit, siç është Miss Globe International 2010. Shumë vajza nga qytete të ndryshme të Shqipërisë janë paraqitur, që në ditën e parë të seleksionimit të vajzave, që do të marrin pjesë në edicionin e këtij viti të Miss Shqipëria 2010. Pas paraqitjes së tyre ka shënuar kështu starti i këtij konkursi bukurie të organizuar nga Deliart Assocation me producent Petri Bozo. Ai dhe stafi i tij kanë pritur vajzat e para. Faza e seleksionimit kanë filluar në orët e paradites dhe ka zgjatur deri në orët e mbrëmjes dhe përgjatë gjithë ditëve janë regjistruar bukuroshe të ardhura nga shumë qytete të vendit, por dhe jashtë kufijve. Mjaft çmime priten të jepen, pa harruar dhe pjesën e spektaklit, i cili do të sjellë shumë surpriza.
Një vit më parë, mbretëresha e bukurisë shqiptare u shpall në Durrës
Ertemiona Mejdani u kurorëzua Miss Shqipëria 2009. Vajza me numër 4, bukuroshja 18 vjeçare nga qyteti i Korçës u shpall si mbretëresha e bukurisë shqiptare një vit më parë. Shoqëruese e parë e Miss Shqipëria 2009 u shpall Megi Goga, ndërsa shoqëruesja e dytë u shpall Jona Gjoni. 31 bukuroshet e përzgjedhura nga Deliart Association u prezantuan për publikun shqiptar në një skenë madhështore të ngritur rrëzë Torre Veneciane në Durrës. U mbyll kështu konkursi përgjatë të cilit vajzat e përzgjedhura për edicionin e 11-të të garës së bukurisë kanë qenë protagoniste dhe në një tur të gjatë të zhvilluar në vende historike e turistike të Shqipërisë dhe Malit të Zi, kanë zhvilluar minikonkurse, pjesë e zakonshme e këtij kompeticioni prej nga kanë dalë fitueset e para, por edhe kanë bërë prezantimin e parë përpara jurisë.
Nga Julia Vrapi