Grabiten me armë 3 milionë lekë në bankën greke

Pavarësisht se autorët e kësaj ngjarjeje nuk kanë qenë maskuar, ata kanë qenë veshur me të zeza dhe me kapuç në kokë, duke e bërë të vështirë identifikimin e tyre.
Grabitet për herë të dytë në mes të ditës një filial i Bankës Kombëtare Greke në Shqipëri. Dy persona të pamaskuar por të armatosur kanë arritur që të vjedhin filialin e bankës NBG, që ndodhet përgjatë Rrugës së Kavajës, pranë qendrës “Globe”. Pavarësisht se jo shumë metra më tutje kishte ndodhur një vrasje dhe kishte lëvizje të efektivëve të policisë, grabitësit nuk janë stepur. Madje, ata kanë hyrë që të vjedhin në një orar që rrugët kanë qenë të populluara. Po kështu kanë qenë edhe ambientet e bankës që ofrojnë shërbimet e tyre për klientët, por kjo gjë nuk i ka ndaluar grabitësit. Sipas dëshmive nga vendi i ngjarjes, çdo veprim ndodhi brenda pak çastesh, kur dy personat e armatosur kanë hyrë në ambientet e brendshme të bankës dhe kanë kryer grabitjen në kërcënimin e armëve. Pasi kanë marrë paratë që kanë qenë nëpër kasa, grabitësit janë larguar me urgjencë, duke shmangur një përplasje me policinë që ishte duke shkuar në vendngjarje. Çdo gjë ka qenë e kronometruar dhe synimi i tyre ka qenë grabitja e parave që kanë qenë në kasa, në sportelet e ndryshme të bankës. Sipas të dhënave të para, mësohet se autorët e grabitjes të jenë të rinj, ndërkohë që mësohet se shuma e parave të marra është 300.000 lekë të reja. Ata me anë të kërcënimit me armë kanë mundur që t’i marrin punonjëses së bankës 300 mijë lekë të reja, që ndodheshin në ato momente në arkë. Mbasi kanë marrë shumën e parave, ata kanë dalë jashtë dhe u kanë në mënyrë që të mos hasnin probleme me policinë rrugës. Menjëherë, pas sinjalizimit në vendin e ngjarjes, kanë shkuar shërbimet e policisë dhe specialistë të seksionit kundër vjedhjeve me dhunë dhe me armë, të cilët janë duke kryer veprimet hetimore në vendngjarje. Sipas policisë aktualisht, Shërbimet e Hetimit të Krimit të Policisë së Kryeqytetit në bashkëpunim me Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Tiranë, po punojnë intensivisht për identifikimin dhe kapjen e autorëve. Burime nga policia bëjnë të ditur se po shikohen edhe kamerat e sigurisë, por identifikimi i tyre po bëhet pak i vështirë pasi ata kishin vënë kapuç në kokë.
Ngjarja
Kjo ngjarje vjen pas arrestimit para një jave të pesë personave, të cilët dyshohen se janë autorë të disa grabitjeve bankash. Grabitja me armë e bankës NBG ka ndodhur rreth 13:35 kur në që ndodhet përgjatë Rrugës së Kavajës, përballë vendit të quajtur ish-parku i autobusëve, nga dy persona të paidentifikuar. Sipas dëshmive autorët e kësaj ngjarjeje kanë qenë të veshur me të zeza dhe me kapuç në kokë, duke e bërë të vështirë identifikimin e tyre. Ata, pasi kanë kaluar personelin e sigurisë, kanë hyrë brenda ambienteve të bankës. Menjëherë pasi kanë arritur që të kalojnë derën, ata kanë nxjerrë pistoleta e tyre dhe ua kanë drejtuar punonjësve të bankës. Dy autorët e ngjarjes u kanë kërkuar paratë që ndodheshin në kasë. Punonjësit e bankës të shokuar në ato momenti u kanë dorëzuar paratë që ndodheshin në ato momente në kasë, një shumë prej rreth 3 milionë lekësh të vjetra. Pasi kanë marrë paratë, ata kanë nxituar për të dalë jashtë dhe pasi u kanë hipur motorëve, janë larguar me shpejtësi, pa u ndaluar nga askush.
Hetimi
Kamerat e sigurisë dhe gjurmët e lëna në vendngjarje janë thelbësoret për identifikimin e autorëve. Sapo kanë mbërritur në vendngjarje, ekspertët kanë bllokuar regjistrimet e kamerave të sigurisë, kanë mbledhur prova të tjera të lëna në vendngjarje dhe kanë marrë dëshmitë e punonjësve të bankës. Por, filmimet dhe dialekti i tre autorëve pritet të zbulojnë shumë shpejt identitetet e grabitësve. Sipas dëshmive të marra në vendngjarje, dy personat kanë hyrë të maskuar në bankë dhe kërkuan paratë që gjendeshin në kasa. Duke qenë të armatosur punonjësja traumatizuar e bankës ua ka dhënë paratë pa rezistencë, ndërkohë që pavarësisht momentit të vështirë që po kalonin, ata kanë shtypur butonin e alarmit për të sinjalizuar policinë për vjedhjen. Sapo kanë marrë shumën, e cila është rreth 3 milionë lekë të vjetra, autorët kanë dalë dhe janë larguar me shpejtësi me anë të motorëve të tyre. Por, pavarësisht se ata nuk kanë qenë të maskuar identifikimi i tyre, sipas burimeve policore, edhe pas filmimeve të bëra është i vështirë, pasi ata mbanin kapuç në kokë dhe nuk u dallohej mirë fytyra. Ndërkohë, po sipas burimeve policore, ekspertët janë duke punuar për përpunimin e provave, të cilat do të çojnë në zbardhjen e ngjarjes dhe identiteteve të grabitësve
Arrestimet e grabitësve të bankave
Para 5 ditësh policia e Tiranës ka kryer një operacion gjatë të cilit janë vënë nën pranga pesë autorë të dyshuar si grabitës të pesë bankave. Pas vjedhjes me armë të filialit të njërës nga bankat më të mëdha në vend, ku u vodhën rreth 5 milionë lekë, policia ka filluar menjëherë hetimet për të kapur autorët. Hetimi i kryer nën drejtimin e prokurorisë së Tiranës nga seksioni kundër vjedhjeve me dhunë dhe armë në policinë e kryeqytetit u krijua edhe një operacion i koduar “Ombrella”, gjatë të cilit ka pasur një përdorim të gjerë të metodave speciale të hetimit. Nga hetimi ka rezultuar se pesë persona në bashkëpunim me njëri tjetrin kanë vjedhur edhe bankat. Ata janë Fatjon Deliut, 24 vjeç, nga Tirana, i dënuar më parë për vjedhje, i cili dyshohet edhe si kreu i bandës. Ndërkohë, është bërë edhe ndalimi i Markeljano Nuro, 20 vjeç; Gerald Gordi, 20 vjeç; Ervis Domi, 22 vjeç; të tre të padënuar më parë të akuzuar si pjesëtarë të grupit. Gjithashtu, i dyshuar si bashkautor i të sipërpërmendurve është shpallur në kërkim Admir Zyko. Mbi këta pesë persona janë të dyshuar për pesë vjedhje të tjera bankash në Tiranë. Sipas policisë, po zhvillohen hetime intensive për përfshirjen e tyre në bashkëpunim edhe me persona të tjerë në vjedhjet e bankave të tjera. Nga hetimet e bëra deri tani ka rezultuar se po këta persona kanë vjedhur edhe filialin e NBG në gusht 2008.