Heqja e vizave, Frattini dhe Kouchner, garanci Metës
Franca dhe Italia mbështesin liberalizimin e vizave dhe integrimin e Shqipërisë në Bashkimin Evropian. Garancia për votën pro të Francës, në momentin që do të diskutohet heqja e vizave për Shqipërinë, i është dhënë zëvendëskryeministrit dhe ministrit të Jashtëm, Ilir Meta, nga ministri i Jashtëm francez, Bernard Kouchnder dhe ai italian Franco Frattini. Në samitin e ministrave të Jashtëm të vendeve anëtare të NATO-s, në Talin të Estonisë, Meta dhe Kouchner kanë zhvilluar një takim të veçantë, ku kanë diskutuar për integrimin e Shqipërisë në BE, liberalizimin e vizave dhe çështjet që kanë të bëjnë me rajonin e Ballkanit Perëndimor. Ne mbështesim heqjen e vizave dhe mbështesim integrimin e Shqipërisë në Bashkimin Evropian, - deklaroi kreu i diplomacisë franceze Kouchner. Zv.kryeministri dhe ministri i Punëve të Jashtme, z. Ilir Meta, mori pjesë në takimin jozyrtar të ministrave të Punëve të Jashtme të vendeve anëtare të NATO-s, që u zhvillua në Talin, Estoni. Në fjalën e tij gjatë takimit të Këshillit të Atlantikut të Veriut me vendet kontribuuese në operacionin ISAF në Afganistan, zv.kryeministri dhe ministri i Punëve të Jashtme, z. Ilir Meta, rikonfirmoi mbështetjen e Shqipërisë për arritjen e objektivave të NATO-s dhe komunitetit ndërkombëtar për Afganistanin. Z. Meta u shpreh i inkurajuar për rritjen e numrit të vendeve kontribuuese në kuadër të ISAF-it (aktualisht 46), si tregues i qartë i angazhimit në Afganistan, që nuk ka për qëllim sigurinë e aleatëve dhe as të ndonjë vendi të veçantë, por të të gjithë komunitetit të vendeve demokratike. Z. Meta theksoi shtimin e konsiderueshëm të kontributit të Shqipërisë me trupa gjatë vitit 2009, angazhimet për vitin 2010, si dhe kontributin e vendit tonë në kuadër të përqasjes gjithëpërfshirëse, duke nënvizuar rëndësinë e komponentit civil mjekësor dhe asistencës në fushën e arsimimit. Ai vuri në dukje angazhimin konstruktiv të Shqipërisë me një pozicion të qartë për elementët që duhet të përfshijë Koncepti i ri Strategjik i NATO-s dhe në të njëjtën kohë shprehu përkushtimin e vendit tonë për vazhdimin e rolit aktiv deri në miratimin e këtij dokumenti të rëndësishëm strategjik të Aleancës, në samitin e Lisbonës. Gjatë ministerialit, zv.kryeministri dhe ministri i Punëve të Jashtme, z. Ilir Meta, mbështeti aspiratat integruese euroatlantike të Bosnje-Hercegovinës dhe ritheksoi qëndrimin e Shqipërisë në favor të përfshirjes së saj në Planin e Veprimit për Anëtarësim në NATO.