Socialistët e Kukësit, protestë për papunësinë

40% e familjeve kuksiane janë me ndihmë ekonomike, e cila është vetëm 4 mijë lekë në muaj ose 37% më e vogël se viti i kaluar
Kukës - Socialistët kuksianë dhe përkrahësit e tyre kanë protestuar dje në sheshin kryesor të këtij qyteti. Qëllimi i kësaj proteste, sipas oratorëve, që e morën fjalën është transparenca zgjedhore, thellimi i varfërisë, rrënimi i pandalshëm ekonomik i vendit, korrupsioni dhe vazhdimi i izolimit të vendit nga bota e qytetëruar dhe e zhvilluar perëndimore. "Jemi sot këtu për faktin se në xhepat tonë, të atyre që sot janë këtu,
por dhe të atyre që nuk marrin pjesë sot në ketë protestë për shkak të terrorit dhe frikës që ushtron pushteti i PD-së, se kanë më pak para se disa vite më parë për shkak se buxheti ynë dhe i familjeve tona është tkurrur në atë masë saqë familjet nuk mund të blejnë ushqimin e përditshëm për mbijetesë për shkak të inflacionit galopant dhe rritjes drastike të çmimeve. Jemi sot këtu, të gjithë së bashku, për shkak të shkeljes së rëndë të të drejtave dhe lirive tona themelore, për shkak të mungesë së transparencës, sidomos asaj zgjedhore, diskriminimit për shkak të bindjeve politike si në punësim, strehim dhe në politikat e mbështetjes sociale", - tha para protestuesve deputeti i PS-së për qarkun e Kukësit, Asllan Dogjani. Në vijim të fjalës së tij, Dogjani ka folur për vështirësitë e mëdha që ndodhet biznesi për shkak të krizës së thellë si pasojë e politikave të ndjekura nga qeveria, duke çuar në falimentimin e shumë prej këtyre bizneseve, mungesën e investimeve në nivel kombëtar dhe sidomos në atë lokal. Ndërkaq, deputeti i PS-së ka denoncuar shfrytëzimin barbar dhe pa kriter që po i bëhet pasurive minerare të qarkut të Kukësit nga lejet, që ka dhënë Genc Ruli ditët e fundit si ministër i Ekonomisë, ku shumë banorë të kësaj zone janë të detyruar të punojnë si skllevër për të siguruar bukën e gojës. Dogjani përmendi rastin e fundit ku mbeti i vdekur një 49-vjeçar nga Hasi, duke gërmuar në galeri duke lënë pesë fëmijë jetimë. "Kundërshtimi i mazhorancës për hapjen e kutive e provon dyshimin tonë se votat e 28 qershorit janë vjedhur", - tha Dogjani. Deputeti i PS-së tha se 40% e familjeve kuksiane janë me ndihmë ekonomike, e cila është vetëm 4 mijë lekë në muaj ose 37% më e vogël se viti i kaluar. Dogjani ka folur edhe për një krizë të thellë të shërbimit shëndetësor dhe për një mungesë sigurie tek qytetarët. Ai ka ftuar pjesëmarrësit që me 30 prill të jenë në protestën e madhe që do të mbahet në Tiranë. Kryetari i Partisë Socialiste për Tropojën, Mujë Gosturani, në fjalën e tij tha se të jesh zëdhënës i opozitës në Tropojë është shumë e vështirë, por një përgjegjësi e madhe. Sipas tij, Tropoja ka nevojë për drejtësi e transparencë, ndërkohë që e ka paraqitur situatën në këtë rreth si mjaft të vështirë, pa rrugë edhe në mes të qytetit, pa ujë të pijshëm në mes të ujërave, me toka djerrë si pasojë e mungesë së ujit për vaditje, pa një ekonomi konkurruese, me një shkallë të lartë papunësie, mungesë të investimeve, mos shfrytëzim të resurseve sidomos atyre turistike.