Dixhitalizimi, Berisha: Do të kapim mesataren e BE-së
Qeveria shqiptare do të krijojë një fond kombëtar të veçantë financiar, të cilin do ta vërë tërësisht në funksion të projektit Shqipëria në moshën dixhitale. Kryeministri Sali Berisha bëri dje të ditur qëllimin e kësaj iniciative e cila synon që Shqipëria në 3 vite të renditet mbi mesataren e vendeve evropiane për sa i përket përdorimit të teknologjisë informatike. Synojmë që në tri vite, çdo familje shqiptare të marrë internet me bandë të gjerë. Duhet të lançojmë së shpejti M-Banking (Mobile-Banking), transfertat me celular. Shqipëria, në tri vite, mbi mesataren e Bashkimit Evropian dhe kjo, sepse na përket. Ne jemi komb i ri, - deklaroi z. Berisha. Sipas Kryeministrit, Shqipëria si një vend i ri duhet që çdo i ri të ketë kompjuter, ndërsa foli për projekte me kosto të ulët, të cilat mund të interpretohen në këtë drejtim. Kryeministri Berisha thirri dje një forum të gjerë të shkëmbimit të mendimeve dhe propozimeve, me komunitetin e biznesit në fushën e teknologjisë së informacionit dhe komunikimit (ICT) dhe përfaqësues të universiteteve, në kuadër të nismës së qeverisë Shqipëria dixhitale. Takimi, ku ishin të pranishëm ministri i Inovacionit dhe Teknologjisë së Informacionit e të Komunikimit, Genc Pollo, dhe drejtues të Agjencisë së Kombëtare të Shoqërisë së Informacionit, u fokusua në prioritetet, sfidat, projektet dhe veprimin e përbashkët për një zhvillim sa më të shpejtë të ICT-së në Shqipëri. Kryeministri Berisha, pasi u ndal në rezultatet e arritura në katër vitet e shkuara në këtë fushë, si shtrirja e internetit në çdo shkollë, dixhitalizimi i sistemit të gjendjes civile dhe i procedurave të tjera administrative, harta dixhitale e vendit etj., theksoi se objektivi në këto tri vite është tejkalimi i mesatares së Bashkimit Evropian për sa i përket shtrirjes së IT-së. Ne jemi komb i ri dhe asgjë nuk mund të bëjmë më shumë për këtë vend, sesa të zgjerojmë me shpejtësi më të madhe shoqërinë e informacionit në shoqërinë shqiptare, - tha Kryeministri. Z. Berisha propozoi krijimin e një forumi kombëtar, të përbërë nga përfaqësues të qeverisë e sektorit publik, të botës akademike dhe të biznesit, si dhe krijimin e një fondi kombëtar për Shqipërinë dixhitale. Këto propozime u mirëpriten dhe u mbështetën nga komuniteti i biznesit, të cilët shprehën mbështetjen e plotë për nismat dhe projektet e qeverisë për zhvillimin e shoqërisë së informacionit në vend. Kryeministri ngriti gjatë fjalës së tij theksoi edhe domosdoshmërinë e përgatitjes së burimeve njerëzore në fushën e IT-së. Kompanitë në vend, fakultetet dhe shkollat e tjera profesionale, - tha Kryeministri, - duhet të nxiten, stimulohen dhe mbështeten për inovacion dhe kërkim në këtë fushë. Gjatë takimit, ministri Pollo u ndal gjithashtu në disa nga projektet e përfunduara dhe në përfundim e sipër, duke përmendur shtrirjen e internetit në shkolla, projekt që përfundoi vitin e shkuar, gov-net, rrjetin qeveritar që, pas Tiranës, po shtrihet edhe në Durrës, pikat e aksesit publik, një projekt i rëndësishëm i postës shqiptare.