Integrimi, Sejdiu-Bregu: Shqipëria, përvojë për Kosovën
Kosova do të përfitojë nga përvojat e Shqipërisë në rrugën e integrimeve. Këtë fakt i shprehu Presidenti i Kosovës, Fatmir Sejdiu, ministres së Integrimit të Shqipërisë, Majlinda Bregu, e cila po qëndron për një vizitë zyrtare në Kosovë. Në takimin Sejdiu-Bregu ishte i pranishëm edhe ministri i Integrimeve i Kosovës, Besim Beqaj. Kreu i shtetit kosovar, Fatmir Sejdiu, gjithashtu theksoi se angazhimi që Shqipëria ka bërë dhe po bën për Kosovën, është shumë i rëndësishëm dhe ky angazhim do të jetë me vlerë të veçantë në procesin e mëtejmë të integrimeve. Duke folur për pjesëmarrjen e Kosovës në takimet rajonale, Presidenti theksoi se kjo pjesëmarrje do të jetë vetëm në nivel të shtetit të Kosovës. Nga ana e saj, ministrja Bregu theksoi se institucionet e Shqipërisë dhe ato të Kosovës do të zhvillojnë një bashkëpunim të ngushtë në të gjitha fushat. Ajo gjithashtu e quajti një proces jetik procesin e liberalizimit të vizave, duke shfaqur shpresën se Shqipëria do të përfitojë shumë shpejt nga ky proces, ndërsa edhe Kosova do ta bëjë këtë në një të ardhme shumë të afërt.