Heqja e vizave, dhurata e merituar e shqiptarëve për festat e këtij fundviti
Urimi i kryetares së Kuvendit, Jozefina Topalli
Kryetarja e Kuvendit Jozefina Topalli përcolli urimet e saj më të përzemërta për besimtarët Katolikë dhe Ortodoksë në ditën e Krishtlindjeve. Urimet për besimtarët Katolikë kryeparlamentarja Topalli e bëri në katedralen e Shën Palit, ku u prit nga imzot Rrok Mirdita i cili drejtoi edhe meshën për besimtarët Katolikë. Kryetarja e Kuvendit Topalli uroi të gjithë shqiptarët duke u shprehur: “Edhe njëherë dua të uroj të gjithë shqiptarët kudo që janë në Shqipëri, Kosovë, Maqedoni, në Malin e Zi dhe në vendet e tjera: Gëzuar Krishtlindjet. Është festa më e bukur, është festa më e gëzueshme. Është festa e bashkimit e forcës, e mirëkuptimit, e dashurisë. Kjo festë është dashuri dhe gëzim. Unë uroj që kjo ditë, si dhe ditët e tjera që do të vijnë do të jenë të mbushura me dashuri dhe gëzim”. Gjithashtu kryetarja e Kuvendit Jozefina Topalli uroi edhe besimtarët në Kishën Ortodokse Autoqefale në Tiranë. Ajo u shpreh duke thënë mesazhe paqeje dhe optimizmi përmes të cilave tha se këtë herë Krishtlindjet vijnë në fund të një viti shumë të bukur për shqiptarët, në vitin që përkon me heqjen e vizave dhe lëvizjen e lirë. Kryetarja e Kuvendit Jozefina Topalli u shpreh se ishte shumë e lumtur që festat e këtij fund viti koinçidojnë me një ngjarje të rëndësishme siç është heqja e vizave, të cilën kryeparlamentarja Jozefina Topalli e cilësoi si dhuratën më të bukur, por edhe shumë të merituar prej shqiptarëve.“ Jam shumë e kënaqur që këto festa koinçidojnë me data të shënuara për vendin tonë, me ditë të bukura për vendin tonë, me ngjarje që kanë lidhje personale, që kanë impakt personal te çdo qytetar shqiptar, me heqjen e vizave. Unë u uroj të gjithë shqiptarëve ta gëzojnë këtë dhuratë të bukur të Krishlindjeve dhe të merituar prej tyre,”- tha Kryetarja e Kuvendit. Ndërsa një urim të veçantë kryeparlamentarja Topalli ua rezervoi njerëzve në zonat e përmbytura dhe ushtarëve shqiptarëve në Afganistan. “Në këtë ditë të Krishtlindjeve unë kam një urim të veçantë për ata që janë në vështirësi, për zonat e përmbytura. Natyrisht një mesazh Gëzuar Krishtlindjet edhe për ushtarët që janë në Afganistan. Për ata që janë atje për të mbrojtur paqen në botë. Dëshiroj t’u uroj të gjithëve Gëzuar Krishtlindjet, një festë që sjell gëzim, sjell paqe dhe ne të gjithë kemi nevojë për paqe”- uroi kryeparlamentarja Topalli. Gjithashtu me tej ajo e ka cilësuar këtë ditë të lindjes së Krishtit si një ditë e cila vazhdon të inspirojë në të gjithë botën. Krishtlindja është një festë e bukur tha Topalli, është një festë gjithë muzikë, është mesazh i paqes, mesazh i vëllazërimit. Është një mesazh që i ka kapërcyer dymijë vite dhe, edhe pas dymijë vitesh të lindjes së Krishtit vazhdon të inspirojë të gjithë. Kjo është ditë e lindjes, sepse edhe lindja është e bukur. Nuk ka gjë më të bukur sesa lindja në jetë. Nuk është rastësi që ardhja në këtë botë, lindja është gjithmonë e vështirë, por është e bukur edhe pse vjen përmes vështirësive, - tha ndër të tjera kryetarja e Kuvendit Jozefina Topalli. Gjithashtu Topalli e cilësoi këtë Krishtlindje si një ndër Krishtlindjet më të bukura për shqiptarët duke theksuar se liberalizimi i vizave për ta ishte një ndër dhuratat më të bukura për këtë ditë. Krishtlindjet vijnë në fund të një viti që ka qenë shumë i bukur për shqiptarët. Festa e Krishtlindjeve ka edhe lirinë brenda dhe lëvizja e lirë, heqja e vizave ka qenë mbyllja më e bukur e këtij viti të rëndësishëm për shqiptarët, tha kryetarja e Kuvendit duke përcjellë urimet e saj për besimtarët e Krishterë.