E Shtunë, 31 Tetor 2026

A po dezintegrohet më tej Serbia?

26-12-2010 / Nga Fadil Lepaja

Kam frikë se serbët, sërish, kanë mbetur pa ide. Dhe, ky nuk është lajm aspak i mirë. Kur flas për serbët, mendoj në Serbinë publike, zyrtare, në të gjitha format e manifestimit të vet. E kur ata mbesin pa ide, kjo paraqitet si problem në vete. Është po aq problem, ngjashëm me tollovinë që e krijojnë kur e marrin përsipër për të lëvizur ndonjë ide të madhe. Është problem sepse, megjithatë, në çfarëdo rrethane, ata prapë synojnë me e udhëheq “lojën” në regjion. Në çfarëdo forme të mundshme. Ajo që është e papajtueshme me “frymën serbe” është të mos jesh faktor. Rrjedhimisht, krijojnë problem, brenda dhe jashtë “vetes”. Kështu faktorizohen. Serbia normale, pa ndonjë mision, nuk është ëndërr as qëllim i asnjë grupi politik, në Serbi. Së paku jo i ndonjë grupi politik me peshë. Kjo është një fatkeqësi për qytetarët e saj dhe për fqinjët. Të faktorizohesh përmes problemeve, krizave, zgjidhja e të cilave varet prej tyre, kjo i bën të ndihen të rëndësishëm. Duke u ndier si fuqia më e madhe , në mes të popujve të vegjël, kështu përkëdhelej egoja nacionaliste e serbëve dikur, por si duket nga kjo nuk janë imunë as klasa e serbëve të cilët aktualisht qeverisin me Serbinë .
E Serbia, nga jashtë, për vëzhguesit e vëmendshëm, tani më tepër ngjanë me një qenie të paidentitet, sepse ka mbetur e tillë që kur u zhvesh nga rrobat e jugosllavizmit dhe të socializmit vetëqeverisës që ishte diçka për të cilën pretendohej se e kanë zbuluar. Ose e patën zbuluar enkas për ta. Kur Gavrilo Principi e vrau Franc Ferdinandin, trashëgimtarin e fronit perandorak të Austro-Hungarisë duke u bërë kështu shkas për një luftë botërore, kjo i pat dhënë energji vullkanike shpirtit të lodhur e të dëshpëruar serb, i cili edhe pas çlirimit nga Turqit nuk po arrinte “me u bë një” me ëndrrat kolektive që datonin nga mesjeta. Perandoria e një populli të vogël, që mori shtrirje tej përmasave të tij, ajo e Dushanit etj, mbeti ëndërr e përjetshme kolektive.
Edhe miti i Betejës së Kosovës përfaqëson këtë ëndërr të një populli të vogël për faktorizim global, sepse e paraqet Serbinë mesjetare të vetme përballë fuqisë nga e cila po dridhej Europa e krishterë. Përkundër fakteve që flasin për ushtri ballkanike, kundër osmanëve. Kështu, duke e nisur një luftë botërore dhe duke humbur atë fillimisht në front, serbët zyrtarë, reaguan duke u shpërngulur me gjithë shtet në Korfuz. Rrugës së tërheqjes humbën më shumë luftëtarë se në të gjitha luftërat e deriatëhershme. Pastaj, kur ndërroi konjuktura, ata u kthyen fitimtarë dhe mbi idenë e jugosllavizmit, mbindërtuan shtetin e tyre, mbretërinë e SKS, të përfshirë nga popujt sllavë të jugut që kishin dale nga dy perandori të rrënuara, ajo austro-hungareze dhe osmane. Idili e kësaj ideje nuk zgjati shumë. Ideja e jugosllavizmit u bë e pamjaftueshme kur doli në sipërfaqe egocentrizmi serb, që në gjuhën politike shprehej me tendenca unitariste të robërimit të popujve tjerë sllav, por edhe atyre josllav, të cilët pa dëshirën e tyre u gjenden në hapësirën “politike” ku ideologët serb e kishin paramenduar shtetin e përbashkët. Kur mbretëria e SKS u shndërrua në mbretëri serbe, nën presionin e fuqishëm të nacionalizmit serb, kroatët dhe sllovenët filluan të rebelohen. Këtë proces dezintegrues e ndërpreu lufta e dytë botërore, gjatë të cilës nën pushtimin e fuqive të antantës u krijuan disa shtete si NDH, Shqipëria Etnike (që u quajt edhe si Shqipëria e Madhe ) Bullgaria e Madhe etj.
Pas Luftës së Dytë Botërore, ideja e socializmit për barazinë e kombeve dhe federalizmi, të lançuar nga Partia Komuniste e Jugosllavisë, paraqiste ringjallje të jugosllavizmit në simbiozë me socializmin. Kombinimi i dy ideve të mëdha, mbinacionale, i bënin serbët të besojnë se e arritën një model të qëndrueshëm për shtetin serb, të mbindërtuar në formën e një Jugosllavie.
Por sërish, ambiciet e papërmbajtura serbe për dominim dhe unitarizëm, pas pak kohe u paraqitën sikur simptomat e një sëmundjeje të rëndë dhe të paevitueshme dhe kështu e aktivizuan edhe rezistencën anti-serbe. Modifikimi i socializmit nën projektin eksperimental të vetëqeverisjes, e cila u cilësua, me ironi, si formë e re e kalimit nga socializmi në kapitalizëm, ishte përpjekje për decentralizim dhe de-monopolizim të pushtetit. Dhe ishte si reaksion i popujve nga veri- perëndimi i ish-Jugosllavisë ndaj unitarizmit serb. Me dështimin global të socializmit dhe rrënimin e simbiozës së jugosllavizmit dhe socializmit, që në fund po synonte edhe krijimin e kombit socialist jugosllav, u ringjallë sërish ideja e unitarizmit përkatësisht e Serbisë së Madhe e cila ishte realizuar territorialisht në kuadër të dy jugosllavive. Kjo e filloi edhe dezintegrimin e Jugosllavisë së dytë e cila përfundoi me shtatë shtete të reja, duke u përmbyllur edhe me “zemrën serbe”, Kosovën tashmë të pavarur. Serbët tashmë kan mbetur pa ide integruese. Te kesh ide integruese, si duket ky ishte receptori se si një populli të vogël si janë serbët, me 5-6 milion banorë në krejt Ballkanin, arritën të kontrollojnë një shtet me rreth 20 milion banorë dhe I cili luajti një rol në përmasa globale, sidomos në periudhën e luftës së ftohtë dhe në kuadër të idesë së organizimit të vendeve jashtë-bllokiste, që njihej si vendet e painkuadruara.
Dhe kur mbetesh pa ide, në një udhëkryq gjeopolitik dhe konjuktural si ka mbetur Serbia, detyrimisht ose do bësh probleme ose do të merresh me problemet që do t’i bëjnë tjerët. Në fakt, mungesa e idesë integruese te serbët, po rrezikon që procesi të vazhdoj me dezintegrimin e mëtejmë të asaj që mbeti nga ish-Serbia. Ideja nacionale serbe po hasë në rezistencë edhe vet brenda Serbisë duke qitur në pah se së paku 50% e popullatës së tanishme të sajë nuk e ndiejnë veten serb. Aktualizimi i idesë për autonomi të vllahëve, të Sanxhakut, të Luginës së Preshevës dhe së fundi aktualizimi i autonomisë tashmë ekzistuese të Vojvodinës në kuptimin e avancimit të sajë, krejt këto kanë hapur një panik në skenën politike të këtij vendi. Kosova dhe miti i saj, tashmë e kanë humbur forcën për me homogjenizue dhe me rigjenerue përkrahjen për nacionalizmin serb, përkatësisht idetë politike dhe shtetformuese që bazohen në etnocentrizmin serb.
Çka janë, pra, serbët? A janë serbët (pan)sllavë apo europianë? Ideja e jugosllavenizmit dështoi përgjakshëm duke i bërë popujt vëllezër të sllavëve të jugut, në kuptimin e prejardhjes, gazin e botës, por edhe dhimbjen e fundshekullit XX. Kujto Srebrenicën, dhe krimet e tjera ndër vetë sllavët. Ideja e serbizmit, kudo që ka së paku një varr serb , mori një përgjigje të fuqishme të refuzimit ndërkombëtare dhe Gjykata Ndërkombëtare e Hagës ende është duke u marrë me ekzekutuesit zyrtarë të këtij projekti. As brenda Serbisë nuk besohet se kjo ide ka përkrahjen e mbi gjysmës së popullatës, e cila nuk ndihet si serbe në kuptimin etnik edhe kulturor. Ka liderë e analistë, të cilët besojnë se projekti nuk u realizua për shkak të shkapërderdhjes territoriale dhe të lidhjeve të dobëta të serbëve nëpër ish-Jugosllavi me Serbinë qendrore. Por, edhe në kuadër të kësaj Serbie, ose asaj që ka mbetur nga ajo, në nyjet strategjike të saj, sidomos në vijat e korridoreve strategjike (X dhe XI) shtrihen shqiptarët, të cilët përkundër disa projekteve të Çubrilloviqit dhe Andriqit, për spastrime etnike dhe shpërngulje në Turqi, nuk arritën ta pastrojnë krejtësisht. Nëse klasa politike serbe vazhdon me forcimin e nacionalizmit serb dhe unitarizimit të mëtejmë të Serbisë, ka shumë gjasa që as ajo të mos mbijetojë këto procese, as në kufijtë që i ka tash, e madje duke humbur edhe sovranitetin dhe pavarësinë e vet. Edhe feja e cila në shumë vende ka shërbyer si faktor integrues nuk paraqitet e tillë ndër serbët, as në raport me fqinjët e tjerë ortodoksë madje. Mjafton të kujtojmë relacionet e acaruara në mes të kishës serbe, me ato malazeze, maqedone etj.
Vetëm ideja europiane, dhe politika e afrimit dhe pajtimit me fqinjët, por edhe me kulturat e tjera, i sjell Serbisë hapësirën për një rilindje dhe për një faktorizim të sërishëm në Ballkan, por tashmë në një Ballkan të integruar në BE dhe strukturat euro-atlantike. A mund të paramendoni se Serbia europiane paraqitet si një mundësi reale, pa kaluar më parë nëpër një katarsis të plotë apo edhe nëpër një ferr të sërishëm brenda vet Serbisë? Kjo është pyetje një milionëshe (apo bilionëshe), dhe përgjegja në të është me interes për krejt popujt e regjionit që kanë synime liridashëse dhe integruese kontinentale. Në kuadër të Evropës do të realizohen ëndrrat e mëdha edhe të popujve të vegjël si ai serb, shqiptarë, kroat, boshnjak, maqedon, etj për afirmimin e tyre kulturor, civilizues e kombëtarë.
Nëse kjo ide e madhe, arriti të shuaj armiqësitë e përgjakshme mes popujve më të mëdhenj të kontinentit si gjermanët, francezët, anglezët, Italianët etj, përse të dyshohet se nuk do të jetë zgjidhje edhe për popujt e vegjël të cilët në ëndrrat dhe ambiciet e tyre, shpeshherë i kalojnë edhe kombet më të mëdha. Jugosllavizmi, serbizmi, pan-sllavizmi, ortodoksia të gjitha janë (s)provuar dhe janë harxhuar nga ideologët serb në funksion të homogjenizimit dhe të mbindërtimit të strukturave shtetërore të cilat në kulmin e vet shkonin prej kufijve të Italisë deri në ata të Greqisë aktuale. Frika nga mungesa e identitetit dhe kompaktësisë territoriale të popullatës etnike serbe, i shtynte vazhdimisht ideologët serb në një retorikë agresive konfliktuale, e cila në momente historike nuk mbetej vetëm retorikë por edhe shndërrohej në aktivitet ushtarak kundër popujve fqinjë, e madje edhe në kuadër vet Serbisë kundër pakicave apo kulturave të ndryshme. Kjo pastaj e forcoi dhe e rriti tepër klasën e ushtarakëve dhe policëve, agjentëve e burokratëve, profiterëve e tarabuk-patriotëve, në strukturën e përgjithshme të popullatës, e cila kishte një lidhje jetike me shtetin i cili e privilegjonte dhe e stimulonte nga buxheti.
Në këtë funksion u ndërtuan mite, shumica e të cilave u rrënuan tashmë në fundin e këtij rrugëtimi luftarak, ku u humb krejt çka mund të humbej nga ajo që ua kishte mare të tjerëve dhe nëse vazhdohet me politikën luftarake dhe me shtypjen e dallimeve në vet Serbinë, ajo rrezikon të humbë edhe atë çka i takon asaj në familjen e popujve të lire.
Krejt kjo natyrisht nuk është çështje dije, por e vizionit, përcaktimit dhe moralit. Nëse kjo klasë politike që dominon Serbinë, nuk arrin të përcaktohet për idenë e kohës, dhe të bëhet pjesë aktive e madje militante e integrimeve demokratike europiane, është gati e sigurtë se do të vazhdojë edhe më tutje dezintegrimi i brendshëm i saj dhe do të ketë ende vuajtje të vetë qytetarëve të vet. Natyrisht, qeveritarët marrin vendime politike për fatin e një vendi, por qytetarët deklarohen për qeveritë e tyre dhe i sjellin ose i largojnë nga qeverisja. Kah do të shkoi Serbia, pra? Kah liberalizimi, zhvillimi dhe demokratizimi e rrjedhimisht kah pajtimi i brendshëm dhe me fqinjët, si dhe integrimi europian? Apo kah thirrjet arkaike të para-origjinës? Gjithsesi krejt është në dorën e qytetarëve të Serbisë!

...

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›