Hera e parë e Enedës!

Hera e parë që prezanton një videoklip muzikor, dhe me të parën ka goditur në shenjë! Kjo situatë nuk do të na habiste shumë, sidomos nëse bëhet fjalë për këngëtaren e afirmuar Eneda Tarifa. Gjithnjë profesionale dhe me ide të qarta në kokë, ajo ka zgjedhur pas kaq vitesh eksperience si artiste, që të sjellë një klip goxha të realizuar, i cili titullohet thjesht “Thurje”. Në të vërtetë, aq shumë ndjenjë dhe emocion thuret brenda tekstit të këtij hiti, saqë edhe vetë Eneda është mahnitur që në momentin e parë që ka pasur në duar tekstin e shkruar nga Florian Mumajesi. “Që në fillim zgjodha motivin dhe temën e këngës dhe nuk mendova gjatë se cili ritëm më duhej. Kur një hit është i bukur dhe të emocionon, nuk ka rëndësi a është këngë ritmike ose baladë. Gjithsesi, kjo këngë është në stilin baladë R&B dhe tingëllon shumë moderne, më saktë e 2008-ës. Kënga “Thurje” është punuar nga Flori, si teksti, muzika e orkestrimi. Subjekti flet për historitë që shkojnë e vijnë dhe shpeshherë thuhen të njëjtat fjalë rreth tyre, vetëm emrat e personazheve ndryshojnë. Vetëm dy emra arrijnë të thuren e të përbëjnë atë që quhet dashuri e vërtetë. Sa i takon videoklipit, ai është prodhuar në Shkup nga Princi Aleksandër (kështu e quajnë të gjithë). Për këtë hit kanë punuar edhe Arian Gjici në kitare e Shpëtim Saraçi, i cili realizoi masterizimin”, pohon Eneda për gazetën “Korrieri”.
Xhirimi i videos ka qenë një eksperiencë e bukur e papërjetuar më parë nga ana e këngëtares. Për të pasur si produkt një klip sa më cilësor e profesional, Eneda i ka besuar gjithçka grupit që e shoqëronte. Edhe veshjet e veçanta, edhe grimi, si dhe përfshirja e pianos apo kitarës gjatë videos ishin të gjitha idetë e regjisorit, që e bën atë të mbetej pa fjalë. Për herë të parë Eneda Tarifa ka mundur të xhirojë videon e këngës “Thurje”, në një pallat madhështor, ku këmbë njeriu nuk ka mundur të shkelë më parë atje. Kjo e bëri edhe më emocionuese situatën, aq sa ajo u dha me mish e me shpirt pas kësaj kënge të ndjerë. Por edhe një nga momentet më kulmore gjatë klipit, Eneda ia ka besuar regjisorit të njohur si Princ Aleksandri, i cili për herë të parë ka dalë publikisht duke zbuluar kësisoj njeriun aq shumë të përfolur për momentin që bashkëpunon me pjesën dërrmuese të këngëtarëve shqiptarë. “Kemi xhiruar në një vend madhështor dhe më vjen mirë që unë isha e para këngëtare që kam pasur shansin të shkel në atë vend. Me veshjet dhe grimin u mor ekipi realizues, pasi unë ua lashë gjithçka në dorë me mirëbesim. Ndërsa personi që shfaqet gjatë videos duke i rënë kitarës, është vetë regjisori, Aleksandri, i cili është edhe muzikant. I frymëzuar nga kënga që i dërguam, duke parë edhe natyrën time, propozoi që të ishte vetë protagonist, duke bërë linjën e kitarës në fund të këngës, ku ka performuar edhe ai vetë. Për të gjithë ata që duan ta shohin se cili është ky djalë i ri e me talent që bën klipet e shumë këngëtarëve shqiptarë, mund ta shohin në videon time. Është vërtet kënaqësi që na zgjodhi ne”, vijon këngëtarja. Përpos këngës së re që sapo ka prezantuar, Eneda po kalon një periudhë vërtet të ngjeshur me aktivitete, sidomos me grupin e instrumentistëve me të cilët ajo performon live. Shumë koncerte, shumë punë dhe aspak kohë e lirë për pushime verore. Por ajo nuk gjen shkas për t’u penduar, sepse siç pohon edhe ajo vetë, “në fakt nuk dua fare pushime, pasi kam pushuar boll, jam plot energji për muzikë dhe dua ta shfrytëzoj këtë moment”. Shumë energji ka rezervuar edhe për përfundimin e albumit më të ri, të cilin Eneda Tarifa shpreson ta publikojë gjatë sezonit të vjeshtës. Nuk bëhet fjalë për një përmbledhje muzikore të rëndomtë, si e shumë kolegeve të saj, por mendohet që ajo të sjellë një double album, ku do të jenë të përfshirë plot 20 hite.
Me siguri shumë këngë të këtij albumi do të mbajnë firmën e të dashurit të saj, i cili është një kompozitor i njohur në vend. “I dashuri im është kompozitori i këngëve të mia të para, por për momentin ai i është përkushtuar një drejtimi tjetër... Nuk kam pasur mundësi të bashkëpunoj me të kohët e fundit, por do të vijë momenti përsëri që të punojmë së bashku”, thotë Tarifa. Ndonëse e konsideron lumturinë si një nocion utopik, duket qartë se këngëtarja simpatike është “kokë e këmbë” e dashuruar, e kënaqur dhe e qetë në jetën e saj private. Gjithnjë në kërkim të gjërave të bukura, ashtu si dhe “Thurja” e saj më e fundit që solli një imazh tjetër të këngëtares së njohur.
“Që në fillim zgjodha motivin dhe temën e këngës dhe nuk mendova gjatë se cili ritëm më duhej. Kur një hit është i bukur dhe të emocionon nuk ka rëndësi a është ritmike ose baladë. Subjekti flet për historitë që shkojnë e vijnë dhe shpeshherë thuhen të njëjtat fjalë rreth tyre vetëm emrat e personazheve ndryshojnë. Vetëm dy emra arrijnë të thuren e të përbëjnë atë që quhet dashuri e vërtetë”.