E Shtunë, 31 Tetor 2026

Dyndje tek Pediatria dhe Infektivi

Temperaturat e larta janë shkaku kryesor i shqetësimeve tek të miturit. Numër i lartë pacientësh të prekur nga helmimet edhe tek Infektivi

TIRANË - Fluks pacientësh në repartin e Pediatrisë së Qendrës Spitalore Universitare “Nënë Tereza” dhe tek Infektivi. Temperaturat e larta të ditëve të fundit kanë shkaktuar që në dyert e urgjencës së Pediatrisë të mësyjnë një numër i madh fëmijësh, me shqetësime për shkak të vapës, e po kaq edhe tek spitali Infektiv, për shkak të helmimeve. Sipas mjekes pediatre, Sofika Dimroqi, “numri i fëmijëve që paraqiten çdo ditë në urgjencën e Pediatrisë me simptoma të ndryshme është 200-220 në ditë”. Një pjesë e tyre rezultojnë me shqetësime të rënda, kështu që është e nevojshme edhe shtrimi i tyre në ambientet e spitalit të fëmijëve. “Simptomat më të përsëritshme te këta të sëmurë janë të vjellat, dhimbje barku, rrufë, ftohje dhe probleme të ndryshme që vijnë nga qëndrimi për një kohë të gjatë nën rrezet e forta të diellit”, sqaroi Dimroqi, e cila shtoi se numri i fëmijëve vjen çdo ditë në rritje. Por duket se problemet më të mëdha janë helmimet, që përbëjnë edhe pjesën më të madhe të shqetësimeve që paraqesin fëmijët e shtruar në pediatrinë e spitalit “Nënë Tereza”. Kjo për shkak se konsumimi i produkteve të mbajtura jashtë ambienteve frigoriferike, është tepër i rrezikshëm në këtë periudhë, sepse nxehtësia e madhe e ambientit përshpejton prishjen e produkteve. Përveç ushqimeve të prishura, rastet e helmimeve shfaqen edhe nga mungesa e kontrollit të ushqimeve, ose e thënë më saktë, nga mungesa e higjienës gjatë ngrënies. Gjithashtu, një shkak tjetër i helmimeve është edhe uji i pijshëm, i cili duhet të kontrollohet dhe të zihet para konsumimit. Sipas mjekëve, më kujdes u duhet kushtuar padyshim fëmijëve, sidomos gjatë stinës së verës kur temperaturat janë të larta, pasi organizmi i tyre është më i ndjeshëm e kësisoj më i ekspozuar ndaj rreziqeve. Pediatrja Sofika Dimroqi këshilloi që fëmijët të mos ekspozohen në diell, sidomos në orët kur temperaturat janë tepër të larta, si dhe t’u jepet për të konsumuar lëngje dhe ujë të ftohtë, madje edhe atëherë kur nuk kanë etje. Kjo, pasi temperaturat e larta krijojnë dehidratim të trupit. Këshilla të tjera janë: mbajtja e një higjiene sa më të mirë personale, larja me ujë të bollshëm i produkteve ushqimore para përdorimit, si dhe mbajtja e tyre në ambiente frigoriferike. 

70 helmime çdo ditë

Një fluks i lartë të sëmurësh është regjistruar këto ditë edhe në repartin e Infektivit, në spitalin “Nënë Tereza”. Mbi 70 persona paraqiten çdo ditë në urgjencë, kryesisht me shenja gastroenteriti, që ndryshe cilësohet si helmimi nga ushqimet. Sipas mjekëve, shkaku kryesor i këtyre shqetësimeve janë temperaturat e larta të stinës së verës dhe mungesa e higjienës personale. Specialistët shprehen se “shumica prej tyre paraqiten në urgjencë, për shkak të kontaminimit të ushqimeve, por edhe të mungesës së pastërtisë gjatë ngrënies”. Shenjat e të prekurve nga helmimi janë diarreja, të vjellat, marrje mendsh etj.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›