Ja si më torturoi SHIK-u për tri ditë

BULQIZË - Tjetër akuzë për ish-drejtuesit e SHIK-ut. Këtë herë është kryetari i Shoqatës së Emigrantëve Shqiptarë në Greqi, Hidër Buci, dikur kryetar i Lëvizjes Sindikaliste të Minatorëve të Bulqizës, që tregon torturat dhe marrjen peng për tri ditë nga strukturat e këtij shërbimi. I survejuar nga viti 1992 kur drejtonte protestat e minatorëve, ai papritur rrëmbehet, dhunohet e mbahet peng në godinën e SHIK-ut Burrel. Rrëfimi i tij është prekës dhe ka lidhje me të tjera rrëmbime e zhdukje njerëzish.
- Në qershor të vitit 1994 ju keni denoncuar në mediat e asaj kohe një ngjarje të pazakontë. A mund të sillni në vëmendje të lexuesve të “Korrierit” marrjen peng, dhunimin nga policia dhe SHIK-u, kërcënimet dhe presionet e ushtruara ndaj jush?
Buci: “Më datë 21 qershor 1994, rreth orës 12:00, teksa po udhëtoja nga Tirana për në Bulqizë, zbritëm për të pirë një kafe në Klos. Nisja jonë nga Klosi për në Bulqizë u shoqërua me disa makina të SHIK-ut, të drejtuara nga arsimtari i Zhulalit, Nazmi Xhumara, i cili ishte vënë në krye të shërbimit sekret. Këto makina ishin të shoqëruara nga policia. Më arrestuan brenda në autobus, në prani të udhëtarëve, me motivacionin se gjoja kisha qëllime për rrëzimin e qeverisë demokratike. Ky arrestim u krye vetëm e vetëm që të mos ngrija në grevë, përkrah Krastës edhe minatorët e Bulqizës, që këto mafiozë ekonomikë të mbulonin vjedhjet e tyre. Ish-kryetari i SHIK-ut Mat, Nazmi Xhumara, gjatë shoqërimit me makinë, njofton kryetarin e Degës së Brendshme, Gjon Kolën, se “e kapëm kriminelin”. Unë qesha dhe i thashë: “Shko dhe kap kriminelët që po vrasin refugjatët shqiptarë në kufi, se unë po kërkoj të drejtat ekonomike të minatorëve, që po ua grabit mafia juaj”. Pasi më dorëzuan në degën e Brendshme Burrel, ish-kryetari Gjon Kola, në atë moment po rrihte me shkop gome dy policë, të cilët në një kafene kishin thënë: “Rroftë Zogu”. Pas rrahjes së këtyre dy policëve, ky kryetar nisi torturën me shkopin e gomës ndaj meje, sa më nxiu gjithë trupin. Gjatë torturës me shkopin e gomës urdhëron policin M. I., me një trup gjigant, që të më torturonte përsëri dhe ai më goditi me grushtet e tij në pjesën e djathtë të trupit, ku për pasojë rashë përtokë pa ndjenja. Në atë kohë çanta me dokumentet të sindikatës kishte rënë larg meje. Ndodhesha i shtrirë përtokë dhe më kishin futur zorrën e ujit në gjoks, që të zgjohesha nga agonia. Frymëmarrja me ishte bllokuar, mendja ishte në rregull dhe isha në një ëndërr me fusha me lule, si në pranverë, që ishte gjendja e njeriut në prag të vdekjes. Një polic shërbimi, i vjetër në moshë, që po më rrinte pranë, pasi më ndihmoi që të ngrihesha, më tha: “Gati të mbytën mor i zi”. Unë i thashë: “Këto krahasohen vetëm me torturat në hetuesitë e PPSH-së, pasi edhe demokracinë po e udhëheqin të tillë njerëz. Dhe nuk ka problem se bie një dhe ngrihen një mijë”. Pas mbajtjes time katër orë në qelinë e policisë së Burrelit më njoftuan se do të nisnin për Bulqizë, me makinën e policisë. Më futën në makinë, në kohën që po binin hijet e pasdites, gjoja se do të më nisnin për Bulqizë. Në makinë më shoqëronte një oficer i SHIK-ut të Burrelit. Oficeri me uniformë, duke më njohur si një sindikalist i vendosur më tha: “ Po heq vuajtje mor i zi. Ti po kërkon drejtësi dhe po torturohesh”. Makina nuk mori rrugën e Bulqizës, por drejt malit ku ndodhej Ferrokromi. Më pas më çuan në qendrën e ish-SHIK-ut Burrel për zonën e veriut. Aty pashë me sytë e mi mbi dhjetëra kryetarë SHIK-u të shumë zonave (burime të rezervuara thonë se mes tyre ishte edhe kryetari i SHIK-it të Tiranës, Arben Sefgjini, por Buci nuk e njihte në atë kohë atë, shënim i autorit), ndër to dallohej dhe ai i Bulqizës. Ishin të veshur me këmisha të bardha dhe me pistoleta në rripat e pantallonave përpara”.
- Çfarë ndodhi më pas?
“Sa më zbritën nga makina, të gjithë m’u drejtuan me shprehjet: “Ti je terrorist, do të rrëzosh qeverinë demokratike etj”. Këta shikas nuk i kisha parë në manifestimet për demokraci, por pasi fitoi demokracia, me dyfytyrësinë e tyre depërtuan në PD dhe në organet e rëndësishme të shtetit. Unë iu përgjigja: “Unë jam një sindikalist që më kanë zgjedhur minatorët dhe jam i detyruar të kërkoj të drejtat e tyre ekonomike të ligjshme. Jam një demokrat i minutave të para, në kohën kur ju i bënit jehonë komunizmit dhe PD-në nuk ua shes juve, pavarësisht nga dhuna dhe presioni juaj, për shkak të detyrës që keni”. Më dërguan në katin e dytë, në një dhomë dy me dy metra katrorë, e izoluar me hekura të përmasave të krahut të dorës, një karrige dhe tavolinë e palëvizshme. Aty m’u drejtuan: “Do të na tregosh se cili nga krerët socialistë të ka detyruar të bësh greva për të rrëzuar qeverinë, ose në të kundërt do të të bëjmë më të butë kurrizin se sa barkun dhe nuk do të dalësh i gjallë nga këtu”. Unë u thashë se nuk kam të bëj me socialistët, pasi jam demokrat i minutave të para dhe nuk iu jap asnjë përgjigje pa më sjellë prokurorin të më presë vendim-arrestin dhe avokatin mbrojtës. Ata menjëherë u larguan. Pas kësaj ore, në çdo orë, punonjësit e SHIK-ut më sillnin të shkruar në letra dhjetë a pesëmbëdhjetë pyetje secili. Unë çdo pyetjeje i jepja përgjigje, pavarësisht se këto pyetje ishin të njëjta, vetëm se ndërronin radhitjen”.