E Shtunë, 31 Tetor 2026

Në siklet

Shoqëritë në Evropën Lindore vazhdojnë të diskriminojnë dhe luftojnë homoseksualët

Sot gay-t dhe lesbiket në Evropën Perëndimore gëzojnë të drejta ligjore dhe një nivel tolerance që do të ishte e paimagjinueshme rreth 15 vjet më parë. Por në Evropën Lindore sjellja e ashpër dhe diskriminimi kundër homoseksualëve ende vazhdon. Festivalet e krenarisë homoseksuale e kanë mbushur kalendarin veror në gjithë Evropën, që nga Berlini, Suedia, Londra e Spanja. Këto ditë, evenimente të tilla shkaktojnë pak zemërim, por ka edhe nga ata që marrin fëmijët për të admiruar meshkuj me taka të larta dhe reçipeta, apo thuajse të zhveshur fare. Vetëm këtë fundjavë rreth 17 mijë vetë pritet të mblidhen në Stokholm të Suedisë, për të parë “Europride 2008”,  10 ditë shfaqje filmash, ekspozesh, seminare dhe festa. Rreth 100 mijë pritet të marrin pjesë në paradën që do të zhvillohet nesër në këtë qytet. Por vetëm disa orë fluturim larg, në lindje të kryeqytetit suedez situata është krejt ndryshe. Në muajin maj, autoritetet lokale të Moskës u përpoqën të ndalojnë një marshim të homoseksualëve për të tretin vit radhazi. Kryetari i baskisë, Yuri Luzhkov, një herë madje i quajti këto parada satanike. Vitin e kaluar, aktivistë u mblodhën jashtë ndërtesës së bashkisë, për të protestuar kundër vendimit të autoriteteve. Por ata u sulmuan me vezë dhe gurë nga grupe ortodoksësh dhe neonazistë, ndërsa policia bëri sehir dhe më pas arrestoi demonstruesit paqësorë, përfshirë këtu edhe deputetin gjerman Volker Beck, i cili kishte udhëtuar në Moskë për t’u dhënë mbështetjen e tij homoseksualëve. “Ndryshimi mes Evropës Perëndimore dhe asaj Lindore për homoseksualët është ndonjëherë një eksperiencë e mërzitshme”, - thotë Tomasz Szypula, sekretari i fushatës kundër homofobisë, një organizatë polake që punon për të drejtat ligjore dhe sociale të homoseksualëve. Sipas tij, polakët udhëtojnë shpesh dhe shkojnë në vende si Spanja apo Londra, ku homoseksualët mund të martohen dhe nuk janë aspak të ndryshëm përpara ligjit me heteroseksualët. “Kur ata kthehen, pyesin pse nuk mund të jetë edhe këtu njësoj?” - vazhdon ai. Ndërsa aktet homoseksuale diskriminohen nëpër Evropën Lindore, pranimi nga shoqëria i marrëdhënieve të të njëjti seks duket shumë i largët. Martesa mes homoseksualëve lejohet me ligj vetëm në Hungari dhe Republikën Çeke. Ndërsa në Holandë, 82 për qind e të rriturve janë në favor për të lejuar martesa të tilla, shkalla e aprovimit bie në mënyrë drastike sapo të lëvizësh në pjesën lindore të kontinentit, siç tregon një vëzhgim i Komisionit Evropian mbi vendet e BE-së. Në Sllovaki, numri shkon në 19 për qind, në Poloni 17 për qind dhe në fund të listës është Rumania, ku vetëm 11 për qind e të rriturve janë në favor të martesave mes të njëjtit seks. Kisha Katolike në Poloni ka qenë një bllokim i fortë kundër lëvizjes për të drejtat e homoseksualëve në këtë vend. Analistët thonë se arsyet janë të shumta. Sipas tyre, fuqia e kishës, e cila e lufton homoseksualitetin, luan një rol të madh në ngadalësimin e progresit ligjor dhe pranimin e tyre. Szypula thotë se në shkolla nuk bëhet edukim seksual vetëm për shkak të kishës, kështu që të rinjtë nuk dinë thuajse asgjë për homoseksualët, përveç asaj që dëgjojnë në rrugë. Vende si Hungaria dhe Republika Çeke nuk kanë pasur një ndikim kaq të fortë të Kishës dhe mes vendeve të Paktit të Varshavës ato kishin më shumë prirje perëndimore. Si rrjedhojë, niveli i pranimit të homoseksualitetit është më i lartë sesa në vende si Lituania apo Letonia, të cilat ishin më shumë nën ndikimin e sferës ruse të influencës. Megjithëse ngadalë situata po ndryshon edhe në disa vende të Evropës Lindore. Rreth 5 mijë vetë morën pjesë në një paradë homoseksualësh në Varshavë në maj të këtij viti. Analistët thonë se, pavarësisht faktit që fjalimit me urrejtje të politikanëve dhe sulmet homofobike nëpër rrugë bëjnë ende shumë bujë, ka paksa progres që duhet përgëzuar. Sipas tyre, anëtarësimi i këtyre vendeve në BE ka ndikuar disi në qëndrimin e tyre ndaj homoseksualëve. Një direktivë e BE-së ndalon gjithashtu diskriminimin e punonjësve në vendet e punës bazuar në orientimet e tyre seksuale. Madje, në Bruksel aktualisht po diskutohet mbi të ashtuquajturën “direktiva horizontale”, e cila parashikon mbrojtjen kundër diskriminimit, duke u dhënë viktimave akses në të mira materiale, shërbime në bazë të gjinisë, racës, paaftësive, moshës orientimit seksuale dhe fesë. Një gjë e tillë do të shënonte një pikë historike për homoseksualët në BE dhe do t’u dërgonte një mesazh antidiskriminues qeverive dhe popujve të vendeve anëtare të bllokut.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›