E Shtunë, 31 Tetor 2026

Me gjuhën e armëve

Brenda 7 muajsh në kryeqytet ka pasur 11 raste grabitjesh. Rasti më i fundit, ai i vjedhjes së filialit të NBG-së, mbahet pezull nga vëzhgimet e kasetave të kamerave të sigurisë

TIRANË - Me gjuhën e armëve. Kjo është zgjidhja që kanë gjetur për të vënë ca para mënjanë disa grupe në Tiranë dhe për fat të keq të bizneseve, ata ia kanë dalë. Ia kanë dalë mbanë me shuma të vogla e të mëdha parash, ku këto të fundit arrijnë deri në 80 mijë euro. Vjedhja më e fundit u bë para dy ditësh, në mes të ditës, në filialin e një banke private. Tre persona të maskuar dhe të armatosur, edhe pse vodhën një shumë jo të madhe parash, arritën që të terrorizojnë personelin e bankës. Rasti i grabitjes së një banke është i dytë brenda gjashtë javësh. Por ndërsa grabitësi i bankës disa javë më parë u vu në pranga vetëm disa orë pas ngjarjes, grabitja e fundit varet ende nga kasetat e kamerave të sigurisë, të cilat në të shumtën e rasteve janë të pranishme, por pa mundur të ndihmojnë shumë në kapjen e grabitësve. Për 7 muajt e parë të këtij viti, nga janari e deri tani, vetëm në kryeqytet numërohen 11 raste grabitjesh me armë. Bizneset e preferuar të tyre mbeten bankat, pikat e karburanteve apo dhe individë të pasur. Specialistët e seksionit të vjedhjeve me dhunë dhe armë, në bashkëpunim me komisariatet ku kanë ndodhur vjedhjet, kanë mundur të zbardhin e të vënë në pranga autorët e gjashtë grabitjeve, ndërkohë që pesë raste të tjera mbeten ende pa përgjegjës.

Rastet

Para dy ditësh, në autostradën Tiranë-Durrës, rreth orës 12:05, tre persona të armatosur dhe me antiplumb vjedhin afro 10 mijë euro në filialin e bankës NBG. Pasi terrorizojnë punonjësit, marrin lekët dhe “zhduken” me një automjet tip “Benz” pa  targa. Seksioni përkatës dhe forca të tjera policore ngrenë postblloqe për kapjen e tyre. Gjashtë javë më parë, personi me precedent penal Sulejman Bakalli, arrestohet si autori i vjedhjes së shumës prej 300 mijë lekësh të reja në një bankë private në sheshin “Rilindja”. Ai arrin të bëjë grabitjen nëpërmjet një arme zjarri dhe i maskuar. Në datën 14 korrik, dy persona të maskuar dhe me maska vjedhin vetëm 6 mijë lekë të reja në një pikë shpërndarjeje vaji. Grabitja shënohet në mesditën e asaj date, në kryqëzimin e “21 Dhjetorit”. Ndërkohë që më 17 qershor, policia e Tiranës raportoi arrestimin e katër personave, dy prej të cilëve i vodhën me dhunë një shqiptari nga Maqedonia shumën prej 1200 eurosh. Të vënët në pranga ishin me precedentë penalë dhe përdorues narkotikësh. Dy personat e tjerë, të mitur, u akuzuan se kishin vjedhur me dhunë një punishte duralumin dhe se dyshoheshin për vjedhjen e agjencisë ajrore bullgare “Hemus Air”. Muaji maj i këtij viti shënon edhe vjedhjen më të majme nëpërmjet armëve të zjarrit. 80 mijë euro vidhen në banesën e një biznesmeni. Klodian Meraja, 31 vjeç, ishte një i dënuar që kishte marrë leje nga burgu i Shënkollit në Lezhë për sjellje të mirë, vend në të cilin vuante një dënim për vjedhje. Bashkëpunëtorë në grabitje pati dhe tre persona të tjerë, dy prej të cilëve femra. Vjedhja me dhunë realizohet në fshatin Tufinë, mbi varrezat e Tiranës, ku në vilën e biznesmenit marrin shumën e parave, 80 mijë euro. Dëshmia e disa banorëve zbuloi autorët e krimit. Një ditë përpara vjedhjes së kësaj shume, 20-vjeçari Ermal Hoxha arrestohet për vjedhjen e 8 milionë lekëve në një lokal pranë spitalit civil në kryeqytet. I riu Hoxha vodhi bar-restorant “London”, duke thyer lokalin e duke marrë paratë, të cilat i kishte shpenzuar të gjitha brenda një periudhe të shkurtër kohore, duke rënë në sy. Një tjetër arrestim për vjedhjen e një shume të majme prej 50 mijë eurosh realizohet në javën e parë të majit. Kastriot Fejzullai akuzohet se është autori i grabitjes së një ngjarjeje të ndodhur rreth një vit më parë. Së bashkë me dy persona të tjerë në kërkim, Fejzullai ka kryer vjedhjen e parave. Ndërsa në 19 maj, një grabitje me maska dhe armë i vjedh një karburanti 2 milionë lekë të vjetra. Ngjarja ndodh në orët e para të atij mëngjesi në karburantin “Filo Oil” në Kërrabë, ku një person i maskuar, nën kërcënimin e një arme zjarri ka detyruar punonjësin e pikës së karburantit që t’i jepte të gjithë lekët që i ndodheshin aty. Më 2 maj, në një banesë në Selitë vidhen 2 mijë euro. Pronari i shtëpisë denoncoi autorët, ende të paidentifikuar. Vjedhja e parë me armë për këtë vit është ajo ku u kap në flagrancë 37-vjeçari Altin Mehmetaj. Me precedentë të mëparshëm penalë për grabitje me armë, ai prangoset nga policia në momentin që kishte mbushur armën e zjarrit të, cilën e kishte maskuar në një çantë. Ai ishte bërë gati të grabiste me armë një argjendari në rrugën “Xhorxh Bush”, por kapet nga katër agjentë të Seksionit të Vjedhjeve me Dhunë dhe Armë. Mehmetaj dyshohet se disa vite më parë ka grabitur me armë dy agjenci të këmbimit valutor dhe udhëtimi.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›