E Shtunë, 31 Tetor 2026

Lidhja Arabe konfirmon sanksionet ndaj Sirisë

Lidhja Arabe ngriu pasuritë e 19 zyrtarëve të lartë sirianë dhe ndaloi udhëtimin e tyre në shtetet arabe.

Pas një takimi në Doha, ministri i Jashtëm i Katarit, Sheik Hamad bin Jassim al-Thani, i cili kryeson komisionin e procesit të paqes të Lidhjes Arabe, tha se paneli i dha gjithashtu afat 24 orësh Damaskut për të shkuar në Doha, që të nënshkruajë një marrëveshje për t’i dhënë fund goditjes ushtarake ndaj protestuesve.

Aktivistët sirianë thanë se të paktën 23 persona u vranë në protestat anti-qeveritare në gjithë vendin, duke përfshirë përleshjet e dhunshme mes trupave qeveritare dhe ushtarëve kryengritës në provincën veriore Idlib.

Dëshmitarët thanë se betejat janë intensifikuar ditët e fundit, ndërsa ushtarë të tjerë kanë dezertuar nga njësitë e rregullta të ushtrisë.

Luftimet e fundit u zhvilluan një ditë pasi Këshilli i Kombeve të Bashkuara për të Drejtat e Njeriut votoi për ta ndëshkuar Sirinë për “shkeljet e rënda dhe sistematike të të drejtave të njeriut”, që lidhen me goditjen qeveritare ndaj disidencës.

Këshilli ra dakord gjithashtu të emërojë një hetues të posaçëm, për të shqyrtuar shkeljet e të drejtave të njeriut në Siri.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›