E Shtunë, 31 Tetor 2026

Herodes: Pavarësisht protestave, s'do të ndalemi

Nga Express më 30 mars 2011 në ora 12:37

Ne jemi mision për sundim të ligjit dhe na duhet ta vazhdojmë mandatin tonë. Kështu ka thënë zëdhënësja e EULEX-it, Kristina Herodes për EUObserver.

Ajo ka thënë gjithashtu se puna e këtij misioni në ndjekjen e të dyshuarve për krime lufte nuk do të ndalet pavarësisht protestave.

“Ne jemi misioni për sundim të ligjit dhe na duhet ta vazhdojmë mandatin tonë. Kemi fuqi ekzekutive mbi rastet e krimeve të luftës, prandaj na duhet t’i kryejmë detyrat tona. Kjo nuk është një garë bukurie. Jemi këtu për çështje serioze”, ka thënë Herodes, duke shtuar se “ne e respektojmë lirinë e të shprehurit si dhe të drejtën e tyre për të protestuar”.

Reagimet e Herodes vijnë pas protestës së dytë masive kundër EULEX-it që mbajtur në Prishtinë ditën e martë ku protestuesit mbanin në duar “Lironi Ushtarët e Lirisë” dhe “EULEX largohu”.

Misioni i BE-së, EULEX, ka nisur një hetim “preliminar” për akuzat e bëra nga Këshilli i Evropës ndaj kryeministrit Hashim Thaçi se ka qenë pjesë e një rrjeti trafikues të organeve të serbëve në vitet e ‘90-ta.

Herodes tha se nuk ka ndonjë kornizë kohore për nisjen e hetimit zyrtar. Ajo theksoi se EULEX-i ka një program për mbrojtjen e dëshmitarëve të cilët mund të ofrojnë dëshmi.

Një zyrtar i BE-së, i cili kërkoi ë mbetej anonim, ka krahasuar procesin e tanishëm në Kosovë me gjykimet e Nurembergut në Gjermanin e pas Luftës së Dytë Botërore.

Sa i përket prezencës së EULEX-it në veri të Kosovës, Herodes ka thënë se policët atje janë 24 në ditë dhe ende “janë të përkushtuar të punojnë atje”.

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›