Japonia e Kosova nënshkruan marrëveshjen e parë ndërshtetërore

Qeveria Japoneze ka aprovuar një grant ndihmë në shumë prej 543 milion JPY (ekuivalent me 4.83 milionë EUR) për “Projektin “Përmirësimi i Menaxhimit të Mbeturinave të Ngurta në Republikën e Kosovës”.
Memorandumi u nënshkrua sot ndërmjet Shigeo Iwatani, Ambasador i Japonisë në Republikën e Kosovës, ministrit të Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor , Z. Dardan Gashi si dhe ministrit të Punëve të Jashtme Z. Enver Hoxhaj.
Marrëveshja e nënshkruar, sot, parasheh që Agjencia Ndërkombëtare Japonez për Bashkëpunim të implementojë projektin që ka për qëllim përmirësimin e sistemit të hedhjes së mbeturinave publike në Prishtinë dhe Prizren, si dhe disa komuna që e kufizojnë Prizrenin, duke e pajisur kompanitë relevante komunale me rreth 40 kamione kompaktore të ri në total.
Një kompani në Prishtinë do të marrë 10 dhe tjetra në Prizren rreth 30 kamionë. Projekti po ashtu përfshinë pjesët e nevojshme rezervë.
Pas nënshkrimit të marrëveshjet, ministrat Gashi dhe Hoxhaj, pasi shprehën keqardhjen e tyre për fatkeqësinë natyrore që ka goditur së fundi Japoninë, falënderuan Qeverinë Japoneze për ndihmën e dhënë dhe bashkëpunimin e vazhdueshëm që ka ofruar edhe në fushat tjera, njofton Zyra e Informimit e MMPH-së.