Ekzekutimi për 5 mijë euro, burg pa afat autorit
Gjykata la në burg pa afat, 28-vjeçarin Leonard Pasha, akuzuar për vrasjen e shokut të tij, Nikolin Sanellari
Korçë- Burg pa afat është masa e sigurisë që gjykata e Korçës ka dhënë për 28-vjeçarin e akuzuar për vrasjen e 30-vjeçarit, Nikolin Sanellari. Ekzekutimi i të riut ka çuar dje në Gjykatën e Faktit në Korçë të pandehurin Leonard Pasha për vendosjen e masës së sigurisë, i prangosur vetëm pak kohë mbas krimit të rëndë."Burg pa afat" kanë vendosur togat e zeza për të akuzuarin e vrasjes me paramendim të shokut të tij, në datën 12 janar. Prokurorja e çështjes, Roza Qirjaqi, kërkoi masën e sigurisë"arrest në burg pa afat"për 28-vjeçarin Pasho, kërkesë e cila është pranuar nga drejtuesja e seancës gjyqësore, Etleva Cami. Ndërsa nga ana e avokatit mbrojtës, Sotiraq Ceta dhe vetë të dyshuarit për vrasje, u pretendua pafajësi, duke ngulmuar tek një alibi që ka paraqitur i pandehuri për orën kur ka ndodhur vrasja. Seanca gjyqësore për masën e sigurisë të 28-vjeçarit Leonard Pasho, u zhvillua me dyer të mbyllura me kërkesë të gjykatëses dhe prokurores së çështjes.
Vrasja e të riut, që shënon pas më shumë se një viti, një krim të rëndë në qytetin e Korçës, ndodhi mbrëmjen e së shtunës së kaluar në periferi të qytetit të Korçës, në afërsi të ish- Kampit të Punëtorëve. Sipas hetimeve të para, vrasja është kryer për një borxh prej 5 mijë eurosh, të cilat viktima ia kishte marrë disa fierakëve në Selanik të Greqisë dhe nuk i kishte dorëzuar në destinacionin e tyre në Shqipëri. Autori i dyshuar i këtij krimie ka kërcënuar. Sipas policisë lokale, përfshirja në trafikun e drogës në një rrjet ndërkombëtar në itinerarin Shqipëri-Greqi ka çuar drejt ekzekutimit viktimën Sanellari. Tre orë pas këtij krimi, policia e Korçës, ndaloi në flagrancë shokun e viktimës Leonard Pasho, me akuzën e vrasjes me paramendim dhe të armëmbajtjes pa leje. Ky i fundit edhe gjatë të mërkurës ka pretenduar se në momentin e vrasjes ka një alibi, duke pretenduar se ka qenë në një pikë bastesh sportive, version që sipas policisë dhe prokurorisë është i ndryshëm nga ecuria e krimit dhe gjetja e gjurmëve të tij në vendin e ngjarjes.