E Shtunë, 31 Tetor 2026

Zhduket 16-vjeçarja në Vlorë, mister motivet

Vajza, Fiorenza Z. është zhdukur prej tre ditësh. Familja: U nis në shkollë, por nuk u kthye më
Në shkollë e tregojnë tip të mbyllur. Moshatarët: Ka ikur edhe më parë dhe ka kërkuar lekë, duke sajuar rrëmbimin
VLORE- Është nisur për në shkollë si përditë, por nuk është kthyer më. Prej tre ditësh, një 16-vjeçare nga Vlora, Fiorenza Z. rezulton e zhdukur, ndërkohë që familja ka bërë denoncimin në polici. Familjarët nuk kanë paraqitur asnjë shkak, zënkë apo përplasje mes tyre dhe vajzës që ta ketë detyruar atë të largohej, ndërkohë që kanë frikën e ndonjë rrëmbimi të mundshëm. Të njohur të vajzës, kanë treguar se ajo ishte tip shumë i mbyllur, nuk shoqërohej me njeri dhe kjo nuk është hera e parë e zhdukjes. Sipas tyre, vajza është larguar edhe më parë, duke sajuar skena rrëmbimi e në këmbim të lirimit i kërkonte familjes para. Pistë që ende nuk konfirmohet nga familja apo nga policia, por mbi të cilën po hetohet.
Zhdukja
Mister i plotë lidhur me zhdukjen e papritur të 16-vjeçares, vendndodhjes apo mënyrës se si ka ndodhur. Vajza, nxënëse në vitin e dytë të shkollës së mesme të përgjithshme, "Mustafa Qemal Ataturk", mësohet të ketë dalë nga shtëpia mëngjesin e datës 14 janar, duke u nisur si zakonisht për në shkollë, por në drekë nuk është kthyer më prej saj. "Vajza u nis në 7.30 me çantë e rrobat që shkonte zakonisht në shkollë dhe ka qenë e qetë",- mësohet të kenë thënë në polici familjarët. Kalimi i orëve, kohë në të cilën zakonisht vajza kthehej nga shkolla në shtëpi, ka shtuar merakun e familjarëve. Megjithatë ata kanë pritur një ditë për të trokitur në dyert e policisë. Kështu, vetëm një ditë pas zhdukjes, ata kanë bërë denoncimin në polici, pasi shpresonin që vajza të rikthehej në shkollë. Pasi kanë pyetur sërish në shkollë dhe kanë marrë vesh se vajza as një ditë më vonë nuk ka qenë në mësim, familjarë kanë njoftuar në policinë e Vlorës, duke ua besuar gjetjen e vajzës organeve të rendit.
Denoncimi
Depozitimi në polici është kryer të martën. Burimet zyrtare të policisë bëjnë me dije se familjarët nuk kanë dhënë më tej ndonjë version të mundshëm mbi shkaqe të largimit, çka do të përshpejtonte hetimet dhe gjetjen e saj. Duke iu trembur një rrëmbimi të mundshëm, një ndër versionet e ngritura nga policia, kanë nisur hetimet intensive për gjetjen e 16-vjeçares. Për marrjen e informacioneve të plota, efektivët i janë drejtuar dhe ambienteve të shkollës së mesme. Në klasën që zhvillon mësim vajza, në vitin e dytë të shkollës, është mësuar se ajo nuk ishte shumë e shoqërueshme.
Shkolla
Fakti që vajza nuk kishte shokë dhe shoqe, ka përjashtuar versionin se adoleshentja mund t'i kishte besuar ndonjë të fshehtë që lidhej me largimin, shoqërisë së saj. Siç shpjegon njëra nga mësueset e shkollës, vajza ishte tip i mbyllur. Ajo kishte një karakter paksa të veçantë dhe ndonjëherë dhe sjellje të pazakonta. "Kur ishte në botën e saj, ishte e qetë, por po ta ngacmonin reagonte menjëherë",- thonë moshatarët e saj. Vajza kishte bërë një javë më parë dy orë mungesa pa arsye dhe një ditë katër orëshe të justifikuar gjatë këtij viti.
Pista
Gjithsesi në shkollë agjentët e policisë janë ndihmuar me një detaj tjetër. Të njohura të adoleshentes kanë shpjeguar se kur ka qenë në klasat e larta të tetëvjeçares, Fiorenza Z. ishte larguar dhe një herë nga shtëpia. Ajo ishte larguar vetë dhe në shtëpi paraqiti situatën si rrëmbim, duke kërkuar "faturën financiare" në këmbim të lirimit. Me këtë janë njohur agjentët e policisë, pistë mbi të cilën janë edhe duke hetuar, por është ende herët për të arritur në deklarata përfundimtare. Burimet policore pranojnë se dy janë pistat, rrëmbim ose largim me dëshirë. Tashmë me versionet e një rrëmbimi të mundshëm, apo largimi me dëshirë, hetimorët po vijojnë kërkimet për adoleshenten, apo dhe sqarimin e situatës, nëse është një trill i saj, apo, jeta e saj kërcënohet seriozisht. Adoleshentja është shpallur në kërkim.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›