E Shtunë, 31 Tetor 2026

"Vrasja e Chicagos nuk u krye nga djali i çiftit"

Kushëriri i çiftit Shehu, i cili ka shoqëruar trupat në vendlindje deklaron se Arturi nuk ka vrarë prindërit e tij
KONISPOL- Trupat pa jetë të çiftit të shqiptarëve të vrarë disa ditë më parë në Chicago të SHBA-së, më në fund kanë gjetur prehje në tokën e tyre të lindjes. Syrja Shehu dhe bashkëshortja e tij janë varrosur dje në Konispol të Sarandës, të përshëndetur nga i gjithë komuniteti lokal. Por në ceremoninë e fundit mortore, janë të afërmit e tyre që deklarojnë se autori i vrasjes nuk mund të jetë asnjë herë djali i vogël i çiftit, Arturi. Sipas kushëririt të parë të viktimës, Muhamet Idrizit, i cili është një nga njerëzit që ka bërë të mundur ardhjen e trupave në Shqipëri, Arturi është i pafajshëm dhe kjo gjë do të zbulohet edhe nga policia amerikane.
Në Konispol dje ndihej dhimbja jo vetëm në shtëpinëe Shehajve , por tek çdo banor që takoje . Në orën 13 kortezhi i përmortshëm me dy arkivole hermetikë të ardhur nga përtej Atlantikut janë nisur nga shtëpia e tyre për në banesën e fundit . Gjatë bisedave në dhomën e ngushëllimeve, por edhe aty në fjalët para të varrosjes së Syrjait dhe Sabos, njëri prej të afërmve që ka shoqëruar arkivolet nga Amerika, djali i hallës së Syrjait, Muhamet Idrizi, thotë se autori i vrasjes nuk është djali i vogël i çiftit. "Nuk ka mundësi që i njëjti njeri, në të njëjtën kohë, më të njëjtën armë të vrasë dy persona që ishin njëri në katin e parë duke parë televizor dhe tjetrin në katin e dytë të banesës duke hekurosur rrobat",- thotë Idrizi. Madje ai shkon edhe më tej duke pretenduar se djali duhet të jetë rrëmbyer dhe po mbahet peng nga vrasësi i vërtetë i çiftit Shehu. Ndërkohë hetuesit amerikanë kanë akuzuar zyrtarisht Artur Shehun për vrasjen e prindërve të tij. Kjo pasi ai është njeriu që ka telefonuar në polici për të denoncuar ngjarjen duke thënë "Unë kam vrarë prindërit e mi". Pas kësaj ai është larguar pa lënë gjurmë dhe ende nuk është gjetur nga policia amerikane. "Nuk ka mundësi që ata të jenë vrarë nga djali. Unë mendoj se djali është marrë peng nga rrëmbyesit. Kur policia shkoi në shtëpinë e viktimave gjeti një letër që mbante poshtë emrin EDI. Një emër i panjohur për gjithë lagjen, familjarët dhe të afërmit e viktimave. Djali ynë quhet Artur. Ajo që ne urojmë është që djali të jetë mirë dhe kur të lirohet të tregojë të vërtetën",- thotë kushëriri i viktimave. .
Në ceremonialin e përmortshëm kanë marrë pjesë edhe banorë të zonës rreth Konispolit, miq të familjes nga Saranda, zona e Çamërisë, minoritetit e deri nga Durrësi e Prishtina. Në përcjelljen e dy viktimave kanë qenë edhe tre vajzat e të ndjerëve me bashkëshortët. Ato nuk kanë mundur që të flasin për shkak të dhimbjes së madhe. Edhe vëllai i Syrjahut ishte në gjendje shumë të rëndë emocionale dhe me lot në sy ai ka falënderuar të pranishmit në ceremoni. Edhe miqtë e familjes Shehu i kanë dhënë dje lamtumirën çiftit duke thënë për ta fjalët më të mira.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›