Heroina, shtohen përdoruesit në vitin e parë të gjimnazit
Kambanat e alarmit për përdoruesit e drogës bien frikshëm, sidomos në gjimnaze. Ka një rritje të ndjeshme të nxënësve të shkollave që konsumojnë lënde narkotike dhe këtu nuk bëhet fjalë vetëm për hashashin. Ndonëse është droga që përdoret më shpesh, nuk është ajo më problematikja. Përfaqësuesit e organizatave jo qeveritare dhe ata të Institutit të Shëndetit Publik bëjnë me dije se po ulet mosha e përdoruesve të drogave të forta, sidomos herionës. Sipas tyre, janë me qindra rastet që e nisin që 15 vjeç. Ndonëse s'ka të dhëna të sakta, numri i përdoruesve të drogave mendohet të jetë më i lartë se 40 mijë vetë. Një ditë para 26 qershorit, Ditës Botërore kundër abuzimit dhe trafikimit të drogave, strukturat e shëndetësisë deklarojnë se nuk kanë kapacitetet e mjaftueshme për të trajtuar gjithë përdoruesit e drogave në Shqipëri. Përfaqësuesit e Ministrisë së Shëndetësisë, thonë se po merren me hartimin e një strategjie, për rritjen e numrit të qendrave rehabilituese. Kjo pasi, sipas tyre, numri i përdoruesve të drogës dhe alkoolit në vend po merr përmasa te mëdha, duke u shtrirë pothuajse në të gjitha zonat e vendit. Nuk është bërë aq sa duhet në këtë drejtim, pasi përsëri rrjeti trajtues nuk është në përmasat e duhura duke i ardhur në ndihmë këtij kontigjenti dhe nuk kemi infrastrukturën e duhur, kapacitetet në trajnimin e duhur etj. Janë disa elementë që në nuk i kemi përmbushur dhe mendoj se me strategjinë pasardhëse, që së shpejti do të përpilohet, ne t'i vëmë më tepër në dukje këto elementë dhe t'i realizojmë", shprehet Sokol Morina, përfaqësues i Ministrisë së Shëndetësisë. Mosha mesatare e përdoruesve të drogës është 14-27 vjeç, që janë dhe përdoruesit më të mëdhenj. Por nuk përjashtohen dhe moshat e tjera më të mëdha, që janë në një numër më të vogël se të rinjtë.