Adrestari i Tiranës, nis faza përfundimtare
Adresari i qytetit të Tiranës hyn në fazën përfundimtare. Pas emërtimit të 1300 rrugëve, verifikimit të 65 000 ndërtesa dhe numërtimit të 115 528 hyrje banesash, tashmë procesi lidh emrin e çdo qytetari me adresën e vendit ku ai banon. Për herë të parë në këtë periudhë ndryshimesh, kryeqyteti ka Sistemin e tij të Ri të Adresave. Bashkia e Tiranës prezantoi dje fazën përmbyllëse të "Adresarit të Qytetit të Tiranës", duke e konsideruar këtë si një nevojë të madhe për një metropol me një dinamikë zhvillimi dhe aktivitet intensiv, social e ekonomik siç është Tirana. është një punë 3-vjeçare që më në fund po shkon drejt fundit, duke përmbushur nevojat e qytetarëve. Me përfundimin e këtij procesi, Sistemi i Adresës bëhet funksional, sepse bëhet kështu edhe lidhja e Regjistrit të Gjendjes Civile me Regjistrin e Adresës, ose me thjeshtë lidhja e emrit të qytetarit me adresën e vendbanimit të tij. Kryebashkiaku Rama duke nënvizuar rëndësinë e kësaj pune komplekse dhe të vështirë, drejtoi njëkohësisht apelin për të gjithë qytetarët, për të bashkëpunuar dhe për të dhënë kontributin e tyre, në përshpejtimin dhe suksesin e plotë të këtij procesi. "I gjithë ky sistem i ri adresash është i përmbledhur në një bazë të re teknologjike, të verifikimit dhe informimit, në një sistem informacioni gjeografik që është i aksesueshëm nëpërmjet Internetit. Dua të bëj një apel për të gjithë qytetarët e Tiranës, që të bashkëpunojnë në këtë proces, duke plotësuar Formularin e Vendbanimit. Formulari i Vendbanimit u është vënë në dispozicion, apo është në rrugë drejt derës së shtëpisë dhe është shumë e rëndësishme që sapo t'u komunikohet nga personi përkatës që e sjell Formularin në shtëpi, adresa e re e vendbanimit, çdo qytetar ta fiksojë atë dhe ta përdorë sa më shpesh", tha Rama.