E Shtunë, 31 Tetor 2026

Heronjtë e Zvicrës

Pas shpalljes së përfaqësueses së Zvicrës U17 kampione e botës, e përditshmja më e madhe zvicerane Blick të hënën e ka lavdëruar treshen shqiptare, Frederik Veseli, Pajtim Kasami e Granit Xhaka, për kontributin e dhënë në kampionatit botëror, Nigeria 2009.

Blick ua ka kushtuar një tekst të veçantë kampionëve të botës, me titullin Këta janë kampionët tanë. Sipas Blick, kolektiviteti i ekipit bëri që zviceranët arritën të bëheshin kampionë të botës.

Përpos Nassim Ben Khalifa e Haris Seferovic, kjo gazetë nuk ka lënë pa e përmendur kontributin e pashoq të treshes shqiptare, që ishin titullarë të pazëvendësueshëm të helvetikëve në suksesin historik të këtij vendi, pasi ky është trofeu më i çmueshëm për Zvicrën.

Të gjithë futbollistët që kontribuuan, ata ishin gjigantë. Përmendim për shembull mesfushorin defanziv Pajtim Kasami, që pati paraqitje të jashtëzakonshme, duke lënë gjurmë. Pastaj Granit Xhaka, që dha kontribut të madh. Nuk duhet harruar shërbimet që dha Frederik Veseli, i cili e udhëhoqi mbrojtjen si një veteran, shkruante të hënën Blick.

Në finalen e Kampionatit botëror U-17, që u luajt të dielën, të tre futbollistët shqiptarë ishin titullarë për helvetikët. Anëtari i Lazios, Pajtim Kasami luajti tërë ndeshjen. Kapiteni Frederik Veseli u zëvendësua në minutën e 78-të, ndërsa Granit Xhaka, i cili u ndëshkua me karton të verdhë, në minutën e 90-të i ka liruar vendin Nimelys.

Tre futbollistët shqiptarë pa dyshim se kanë qenë lojtarët kritikë të përfaqësueses zvicerane, duke e ndihmuar këtë skuadër ta fitojë Botërorin, që ka qenë vetëm një ëndërr për ta.

Xhaka do të vazhdojë me Zvicrën

Mesfushori i Baselit, Granit Xhaka, pasi ka fituar kampionatin botëror U-17 me përfaqësuesen e Zvicrës, ka folur rreth ftesës që i ka bërë Federata Shqiptare e Futbollit (FSHF). Këta të fundit i kanë ofruar talentit kosovar që ta veshë fanellën e grupmoshave të ekipit kuqezi. Por, Xhaka është i vendosur të vazhdojë të luajë me përfaqësuesen helvetike. "Unë do të flas me agjentin tim dhe familjen time, por për mua kjo është mjaft e qartë se unë do të luaj për Zvicrën, ka thënë Xhaka për të përditshme zvicerane Blick.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›