Heshtja e sistemit të drejtësisë dhe opinionit publik
Dr. Mirela Bogdani
-Akuzat për pasuri të paligjshme të dy familjareve të protagonistëve të politikës shqiptare, që nisën me sulmin e kampit rozë ndaj pinjolles shumë të përfolur të kryeministrit, e që eskaluan në ditët në vazhdim në një ping-pong pothuaj të përditshëm akuzash të ndërsjella me bashkëshorten e liderit të opozitës, nuk kanë asgjë të përbashkët me një përpjekje serioze apo luftë genuine kundër korrupsionit. Në një vend me demokraci prej vërteti do të mjaftonte një akuzë e vetme (e jo tërësi akuzash që pasojnë ditë pas dite njëra- tjetrën) ndaj një politikani apo për më tepër një pushtetari për të vënë në lëvizje dy struktura: sistemin e drejtësisë dhe opinionin publik. Në një demokraturë si kjo jona, të dyja këto struktura nuk reagojnë për të bërë e para detyrën institucionale dhe e dyta detyrën qytetare: inaktiviteti i sistemit të drejtësisë ka pushuar së përbëri një ccudi që nuk funksionon më, që kur ky sistem në të gjithë hallkat e tij është kapur për fyti nga partia në pushtet (me bastionin e fundit që ra, atë të Prokurorit të Përgjithshëm), në kuadrin e përgjithshëm të uzurpimit të gjithë strukturave të shtetit nga ekzekutivi, pra që kur në Shqipëri është instaluar këmbëkryq fenomeni i “partitokracisë”. Ajo që vazhdon të të bëjë përshtypje është imunizimi apo mpirja në reagim e opinonit publik ndaj këtyre “ërongdoings”, domethënë që askujt nuk i bën më përshtypje asgjë nga “bëmat” e liderëve dhe familjarëve të tyre, dhe kjo sepse, së pari ngaqë paudhësitë dhe hajdutllëqet e tyre janë bërë tepër të shpeshta, domethënë të rralla janë ditët kur nuk dëgjohen në biseda joformale në popull apo nuk ekspozohen në media aferat korruptive të politikanëve (përfshi ata në pozitë e opozitë). Së dyti krijimi i një mentaliteti që këta s’i gjen gjë, ccfarëdo palacollëk të bëjnë, dhe së treti mosbesimi gjithnjë në rritje i njerëzve ndaj sistemit të drejtësisë. Sigurisht që reagimet dhe komentet që bën secila palë (Argita Berisha nga njëra anë dhe Linda Basha nga ana tjetër) do të ishin të mjaftueshme për të fyer inteligjencën minimale të shqiptarit më naiv me deklaratat e tyre qesharake, si ato të zonjës Rama që “Edi një pjesë të të ardhurave të vjetshme i kishte nga shitjet e “librave” apo të zonjës Berisha që një pjesë e mirë e të ardhurave të saj janë nga mësimdhënia. Ndërkohë që dihen nivelet kolosale të pasurimit të tyre si rrjedhojë pikërisht e shfrytëzimit të pushtetit. Vetëm në rastin e fundit Znj.Berisha, duke shfrytëzuar pushtetin e babait të saj u përpoq të përfitojë një shumë prej 3 milion dollarësh nga një biznesmen i huaj i interesuar të investonte në Shqipëri, ndërsa Znj.Basha duke ndërtuar një pallat në konflikt të plotë interesi në një tokë të dizenjuar për lulishte kur bashkëshorti ishte kryetar bashkie. Dhe për të mbështetur argumentin e mësipërm, edhe këto akuza, ashtu si tërësia e të tjerave para tyre filluan si silurë e përfunduan si fllucka sapuni. Pas rreth dy javëve të bombardimit të sherrosjeve mediatike mes madamave të dy dinastive blu e rozë, ngeli veç një tymnajë dhe ata, do vazhdojnë, për aq kohë sa të kenë shtetin e pushtetin, t’i nxjerrin ujin e zi këtij populli e t’i bijnë pre pasurisë së këtij vendi. Të qetë e të sigurtë se masat e veta militante 30 për qindëshe do t’i votojnë përsëri pas pesë muajsh, dhe për rrjedhojë nuk duhet të na vijë as keq, as indinjatë, as çudi, me shprehjen e Robert Putnam që “çdo popull meriton qeverinë që ka”.
Kush është:
Zonja Bogdani është një emër i njohur në jetën publike dhe botën akademike. Ajo ka kryer studimet master në Universitetin e Oksfordit për “Politika Evropiane”, si dhe në Universitetin e Kardifit, njëkohësisht edhe në Shkollën e Studimeve Evropiane, për “Politika Publike Evropiane”. Është doktoreshë në shkencat mjekësorë. Zonja Bogdani është lektore në disa universitete evropiane dhe shqiptare, autore e disa botimeve shkencore dhe eksperte nga më të njohurat në fushën e studimeve evropiane.