E Shtunë, 31 Tetor 2026

Misioni historik i PD më 23 qershor

28-01-2013 / Nga Sejdi Peka

Në këto ditë të para të fillim vitit, Partia Demokratike ka aktivizuar strukturat e saj në përgatitje për një fitore të bindshme në zgjedhjet e 23 Qershorit. Mundet të themi pa paragjykime të ndryshme të natyrës së emocioneve partiake, se është në interesin kombëtar që shqiptarët të votojnë për një mandat të tretë qeverisës të PD. Dhe kjo për disa arsye. Partia Demokratike duhet të përmbushë misionin e saj historik për ta bashkuar Shqipërinë në familjen europiane. Është forca politike që përmbysi diktaturën komuniste gjysmë shekullore, një diktaturë e paparë në historinë tonë kombëtare. Ndërkohë duke bërë një paralelizëm me forcën tjetër politike, Partinë Socialiste, është fakti dëshpërues se është po ajo parti që ka ndryshuar vetëm emrin nga Partia e Punës në Komuniste. Është një forcë politike e parinovuar, me komplekse dhe mentalitet komunist, që aspak nuk është distancuar nga e kaluara kriminale. Përkundrazi, në elitën e saj janë thirrur karrocat e vjetra të ish-sigurimit dhe pinjollët e brezit të dytë të kastës së kuqe enveriste. Është fakt historik që Shqipëria ka vuajtur nga pushtimet e huaja dhe agresionet e vazhduara të vendeve fqinjë që kanë lakmuar perlën e Europës në brigjet e Adriatikut. Por regjimi komunist kishte një veçori nga natyra barbare që një pjesë e popullit, që pa dyshim përbënte pakicën, shtypi shumicën tjetër me mjetet dhe format e inkuizicionit mesjetar. Lufta e klasave, e ideuar sipas teorisë marksiste dhe e praktikës staliniste, i solli popullit vuajtje, mjerim e varfëri të tejskajshme. Ish-sigurimi komunist dhe partia shtet me në krye Enver Hoxhën, për të mbajtur me dhunë pushtetin për të sunduar, burgosën, internuan e pushkatuan qindra e mijëra njerëz që ata i konsideronin si kundërshtarë të regjimit. Shqipëria u shpall vendi i parë ateist në botë, ku njerëzit dënoheshin me burg deri edhe pushkatoheshin se besonin tek Zoti, në vlerat e lirisë dhe demokracisë. Nuk ka shembull tjetër në Europën ish-komuniste që sot më shumë se dy dekada pas rënies së komunizmit, njerëz me kazma në duar kërkojnë varret e të afërmve të tyre. Janë lart më tepër se 4000 të pushkatuar nga regjimi komunist, me dhe pa gjyq që nuk u gjenden varret. Dhe paradoksi është se kriminelët e diktaturës me barsolino në kokë kapardisen kafeneve të Tiranës duke sharë me rrënjë dhe me degë Demokracinë. Ata nuk kanë shfaqur as pendesën më të vogël për krimet e kryera në regjimin komunist kundër popullit dhe as që pranojnë të tregojnë varret e të pushkatuarve. Tetë vite të qeverisjes së mbrapshtë të Partisë Socialiste që mori pushtetin me revolucionin Bolshevik të vitit 97, ishin vite prapa,humbje kohe të Shqipërisë për në BE. Europa dhe Amerika, gjithnjë e kanë parë me sy kritik dhe mosbesues marrjen e pushtetit nga një parti ish-komuniste e pa rinovuar dhe me koncepte marksiste. Asnjëherë Partia Socialiste nuk ka qenë e sinqertë në synimet ndaj BE, por me deklarata patetike shprehej se është për integrimin e vendit në Europë, paçka se nga ana tjetër pengon në mënyrë të hapur proceset demokratike, në mënyrë të paskrupullt dhe arrogante, duke mos votuar tre ligjet që kërkojnë shumicën e cilësuar në Parlament. Partia Socialiste, në krizën e saj më të thellë, e drejtuar nga një njeri delirant si Edvin Rama, thellësisht ka humbur elektoratin e vet, në tentativat për të marrë pushtetin me anën e forcës dhe të revolucionit bolshevik.
Partia Demokratike si forca politike që ju bashkuan shumica dërmuese e shqiptarëve në përmbysjen e komunizmit, ka një elektorat më solid dhe të qëndrueshëm. Ajo në përbërjen e sajë të anëtarësisë dhe të organeve drejtuese, nuk ka njerëz që kanë marrë pjesë në krime kundër popullit në diktaturën komuniste. Partinë Demokratike nuk e mposhti dot as terrori i egër i tipit bolshevik të vitit 97. Marrja e pushtetit nga ish-Partia Komuniste, vetëm sa i dëshpëroi shqiptarët,duke u ngjallur edhe një herë tjetër më me forcë urrejtjen kundër komunizmit dhe pasardhësve të tyre në Partinë Socialiste. Dhjetëra oficerë dhe punonjës të institucioneve të zbatimit të ligjit u vranë në mënyrë kriminale dhe këta pothuajse që të gjithë ish të përndjekur politik. Populli shqiptar nuk mundet të harrojë se tetë vitet e mbrapshta të socialistëve ishin hapa prapa në integrimin e Shqipërisë në familjen europiane. Europa dhe Amerika i kthyen kurrizin Shqipërisë. Nuk është e rastit që të gjitha evenimentet historike në raport me integrimin e Shqipërisë në BE dhe marrëdhëniet me Amerikën kanë ndodhur pikërisht dhe krejtësisht në qeverisjen e Partisë Demokratike. Kjo do të thotë se Partia Demokratike është një partner i besueshëm për institucionet ndërkombëtare që monitorojnë Shqipërinë në rrugën e sajë të vështirë drejt demokracisë. Dy mandatet e qeverisjes së PD, flasin për arritje të mëdha në të gjitha fushat e jetës. Është pothuajse vendi i vetëm në Europë që me shumë sukses po i përballon krizës ekonomike rajonale dhe ndërkombëtare duke mbajtur nivelin e kënaqshëm të treguesve ekonomikë. Rrjeti i infrastrukturës rrugore ka kapluar të gjithë Shqipërinë me parametra ndërkombëtarë. Qindra e mijëra shkolla të reja, ujësjellës, kanalizime, investime në bujqësi, hapja e dyerve të universiteteve,rritja e pagave dhe pensioneve në mënyrë progresive, ulja e taksave, kanë rritur kredibilitetin e qeverisjes së Partisë Demokratike edhe për një fitore spektakolare në zgjedhjet e 23 Qershorit. Këto zgjedhje do të përcaktojnë nga ana tjetër se cilën forcë politike preferojnë shqiptarët dhe ndërkombëtarët për ta anëtarësuar Shqipërinë në BE, Partinë Socialiste ish komuniste të pa rinovuar nga komplekset marksiste apo Partinë Demokratike. Pa asnjë mëdyshje shqiptarët do të votojnë Partinë Demokratike dhe i takon vetëm asaj misioni historik për ta bashkuar Shqipërinë në familjen europiane, që ka qenë ëndrra e shqiptarëve, të gjithë atyre që derdhën gjakun dhe vdiqën si martir të lirisë në burgjet dhe kampet e inkuizicionit komunist.
Në këtë kontekst, nuk mundet të themi se të gjitha gjërat kanë shkuar ashtu si duhet. Kur të mallkojnë shkodranët të thonë “tu rritë mendja or Ndoc”. Mundet të konstatojmë se gjatë këtij mandati qeverisës,Partia Demokratike ka harruar në një farë mënyre bazën e saj. Thënë për hir të së vërtetës, anëtarët e aktivistët e saj në përgjithësi, gjejnë vetëm një numër telefoni që u funksionon, është telefoni i Kryetarit të partisë. Të tjerëve “u kanë rënë bateritë” ose thonë se “nuk jemi zyrë punësimi”. Aq më keq me disa Drejtorë të institucioneve që po të kuptojnë se jeni i perndjekur politik,thartojnë buzët në rastin më të mirë ose sekretarja të përgjigjet se “shefi është në mbledhje”. Duke i parë ish-të përndjekurit si “lebrozët e demokracisë”, është një gabim shumë i rëndë dhe që kushton. Të vuajturit e diktaturës komuniste në natyrën e tyre “të rebelimit”, kurrë nuk votojnë Edi Ramën, por duhet patur parasysh se abstenimi i tyre është votë në favor të ish komunistëve. Dhe kjo nuk duhet të ndodhë. Nuk mundet të justifikohet Kryetarja e Parlamentit që me rastin e festimeve të 100 Vjetorit të Pavarësisë, organizoi takime me fëmijët e shumë shtresave shoqërore,por fëmijët e ish të përndjekurve politik duket “nuk ju kujtuan”. Porositë e Kryeministrit për të parë me prioritet mundësinë e punësimit të ish të përndjekurve politik kur ata plotësojnë kriteret e kërkuara, ka rënë në vesh të shurdhër. Nuk mundet të ketë një shtresë shoqërore më në hall se ish të përndjekurit që përbëjnë formacionin më vital, më të besueshëm të Partisë Demokratike, faktori i rëndësishëm dhe vendimtarë i fitoreve të saj. Sigurisht shumë gjëra mundet dhe duhen të korrigjohen. Partia Demokratike,përballë një opozite ish komuniste që ka kundërshtuar gjithnjë dhe vazhdimisht proceset demokratike, nuk ka përmbushur misionin e saj historik që ka marrë përsipër,që i ka ngarkuar historia,bashkimin e Shqipërisë me familjen e saj Europiane. Mundet të themi pa asnjë ekuivok se përballë një opozite si Partia Socialiste në krizë të vazhduar të identitetit të sajë marksist,fitorja e Partisë Demokratike në zgjedhjet e 23 Qershorit është tërësisht e garantuar.       

...

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›