Njerëzit e Frontierës
Ardian Vehbiu / Gjuhëtar
Nëse e pranojmë se shqiptarët kanë jetuar për një kohë të gjatë – ose me shekuj – në frontierat e perandorive (më parë bizantine, më pas e sidomos osmane), atëherë duket e arsyeshme të pyesim nëse rrethanat e jetesës në frontierë mund të kenë ndikuar në historinë e tyre, veçoritë etno-antropologjike dhe marrëdhëniet e tyre me botën. Kështu, nuk do shumë mund për të dalluar, si karakteristikë e frontierës, marrëdhënia e posaçme e shqiptarit me armën dhe identifikimi i tij si luftëtar profesionist; sikurse edhe është përdorur prej osmanëve, madje është dërguar edhe poshtë e lart në perandori, për të shtypur revoltat, rebelimet dhe trazirat gjithfarësh. Disa mund ta quanin këtë veçori mercenarizëm, ose gatishmëri për ta nxjerrë në shitje virtytin luftarak, ose për të nxjerrë bukën me të.
Në fakt, frontiera si truall nuk lejon që kultura materiale të organizohet rreth punës, si burim i pasurisë dhe i mirëqenies; meqë në frontierë pasuria e krijuar dhe akumuluar me punë mund të humbasë në çastin e parë që një ushtrie i qëllon të kalojë andej; pasiguria përfton një kulturë të organizuar rreth dhunës dhe teknologjisë së dhunës, çka përfshin jo vetëm armën dhe aftësinë për të luftuar, por edhe mënyrat për t’u mbrojtur nga tjetri, p.sh. arkitektura e kullës. Dhe meqë përmendëm Tjetrin, këtu nuk mund të mos vijë në vështrim prania e përditshme, alarmante, e armikut në jetën e banorit të frontierës; sidomos e fqinjit armik, ose të kujt jeton përtej – sa kohë që frontiera vetë, nga pikëpamja e kujt jeton aty, nuk është veçse marrëdhënie hostile me fqinjin; sikurse shembëllzohet më qartë se kudo gjetiu në Eposin e Kreshnikëve dhe marrëdhëniet e shqiptarëve me shkjaun.
Tipikisht, armiku mund të sulmohet për plaçkë ose të mposhtet në betejë, por jo të shkatërrohet e të asgjësohet përfundimisht në luftë; meqë frontiera nuk mund veç të funksionojë si hapësirë homeostatike, ku pas çdo përplasjeje me tjetrin vjen riprodhimi, ose ripërtëritja e palëve ndërluftuese. Gjithnjë në raport me Tjetrin, vjen këtu në vështrim rituali i skajshëm i trajtimit të Mikut në kanunet anembanë shqiptarisë, në veri dhe në jug; trajtim i ekzagjeruar deri në absurd, nga i cili mund të deduktohet se i huaji, i ardhuri, jabanxhiu, udhëtari, kalimtari i panjohur nëpër frontierë, me status zero, është me përkufizim i rrezikuar për vdekje, ose për t’u grabitur dhe dhunuar menjëherë nga vendësit; prandaj edhe preokupimi me sigurinë e mikut tradhton, aty për aty, një realitet të sunduar nga pasiguria totale. Poeti rilindës Asdreni, kur e vizitoi Shqipërinë në 1903, shkruan ndër të tjera: “Këtu jeta e njeriut ka aqe fort të pakë vlerë, sa në ngjet që udhëtari të shpëtojë gjallë, kjo detyrohet më tepër atij që i gjun, se nuk do që të prishë një plumb për një njeri.” (Asdreni – Nga Durrësi ndë Tiranë, Albania, Bruksel, 1903, f. 138; cituar sipas P. Misha, Arratisja nga burgjet e historisë, Botimet Toena, Tiranë 2008, f. 30.)
Dhënia e besës (versioni gojor i salvancondotto, ose guidaticum) mikut, do interpretuar edhe si një orvatje për ta kompensuar disi paligjshmërinë e frontierës, ose gjithëpushtetin e dhunës; meqë agresioni i pakriter ndaj çdo të huaji nuk është as në interesin e vendësve. Popullsitë e frontierës i ruajnë periferitë e Perandorisë, duke shërbyer në mënyrë të ngjashme me rruazat e bardha në gjak e duke ofruar një përgjigje të parë imunitare, ndaj trupave të huaj. Kjo do të shpjegojë edhe marrëdhëniet e tyre të posaçme me qendrën ose pushtetin qendror; të cilat shfaqen nga njëra anë si klientelizëm dhe nga ana tjetër si privilegje (venome) të cilat pushteti qendror ia njeh këtij apo atij fisi, kësaj apo asaj krahine, përkundrejt “besnikërisë.” Megjithatë, historikisht kjo besnikëri i ka kaluar gjithnjë më të fortit (“tek është kordha, edhe besa”), çka nuk ka përbërë kurrë ndonjë sekret, as motiv për t’u ndier keq. Si rregull, krerët e fiseve dhe të krahinave shqiptare të frontierës kanë kërkuar pará për shërbimet e tyre; madje ndonjëherë edhe thjesht për të mos kaluar në shërbim të kundërshtarit. Këtë vartësi nga paraja e tjetrit e kundërpeshon dëshira e papërkulshme për liri, ose për të mos iu nënshtruar kujt – që, në terma praktikë, përkthehet si refuzim për të paguar taksa, për shërbim të detyruar ushtarak dhe në përgjithësi për t’u integruar në hapësirën e një shteti të rregullt.
Një krahasim mund të bëhet, në këtë kontekst, midis shqiptarëve të Perandorisë Osmane dhe kozakëve të Rusisë; krahasim që, megjithatë, duhet të mbajë parasysh se frontiera ku jetonin dhe luftonin kozakët ishte kryesisht fushë, ndërsa frontiera e shqiptarëve më shumë mal. Tradicionalisht, këto tipare historike të shqiptarëve, të cilat ndeshen sot e kësaj dite të degraduara, atavike ose edhe të kthyera mbrapsht, janë përshkruar dhe interpretuar si pasoja të një ekzistence në zgrip, ose në mbijetesë; një interpretim ky që i ka rrënjët, në thelb, te një vizion paranoid i marrëdhënieve mes nesh dhe të tjerëve. Koncepti i frontierës, përkundrazi, mundëson një interpretim të ndryshëm, që merr parasysh jo vetëm armiqësitë por edhe aleancat; dhe kushedi i integron shqiptarët e djeshëm më mirë në dinamikat ballkanike dhe më gjerë, brenda Perandorisë Osmane; në një kohë që, pas gjase, shpjegon më mirë edhe reliktet e mendësisë së frontierës, në veset tona të sotme dhe patologjitë sociale bashkëkohore