E Shtunë, 31 Tetor 2026

Masakra e Durrësit, Withers, mesazh për familjet e policëve



Ambasada Amerikane në Tiranë ka përcjellë sot mesazh ngushëllimi për familjet e 4 policëve rënë në krye të detyrës, në aksionin për kapjen e të shumëkërkuarit Dritan Dajti. Ambasadori John Withers i ka dërguar ngushëllimet kryeministrit Berisha dhe ministrit të Brendshëm, Bujar Nishani. "Mësuam me shumë keqardhje vdekjen në krye të detyrës të oficerëve të Policisë, Fatos Xhani, Saimir Duçkallari, Kastriot Feskaj dhe Altin Dizdari. Vdekja e këtyre oficerëve të devotshëm të Policisë, gjatë kohës që ata kryenin detyrën e tyre, dëshmon dhe një herë për sfidat e mëdha dhe punën e rrezikshme me të cilën përballen zbatuesit e ligjit", - thuhet në mesazhin e ambasadorit Withers. Ai u përcjell më tej ngushëllimet e thella gjithë nëpunësve të Ministrisë së Brendshme dhe të Policisë së Shtetit shqiptar. "Në këtë moment dhimbjeje, ju lutem, përcillni ngushëllimet tona më të thella te familjet e heronjve të rënë", - përfundon mesazhin e ngushëllimit Ambasadori i SHBA-ve në Tiranë, John L. Withers II.

12 Gusht 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›