Heshtje dhe tension në Ministri, anulohet konferenca e Pangos
Pas kangjellave rrethuese të pret një tjetër atmosferë. Zhurmës së një grupi të rinjsh, që me pankarta dhe një manekin me të brendshme të kuqe protestojnë ndaj skandalit “Pango”, ia lë vendin një heshtje e tendosur. Çdo herë që në Ministrinë e Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve zhvillohej ndonjë konferencë, boll që t’i tregoje rojes, qoftë edhe me dorë, se do ngjiteshe sipër dhe nuk kishte asnjë barrierë. Dje, situata ishte ndryshe. “Nuk na ka njoftuar kush që të lëmë gazetarë lart”, të thotë roja pas dritares gjysmë të hapur. Nuk bindet edhe pse i thua se je njoftuar për të ardhur, as se është Instituti i Historisë ai që organizon një tryezë të rrumbullakët për Skënderbeun. (E kush ia kishte ngenë Skënderbeut dje. Të gjithë përmendnin mes tyre batuta dhe nuk guxonin as të qeshnin). Më parë duhet të pyes. “Mos u shqetëso”, të thotë ajo, ndërsa pret urdhrin nga “lart”. Ndërkohë policë civilë hyjnë në ministri. Dikush thotë se janë marrë “përforcime”. Ndërkaq përtej kangjellave dallohen uniformat blu që “monitorojnë” situatën. Më në fund vjen përgjigja pozitive e nxiton drejt sallës, ku zhvillohet konferenca. Heshtja si në ditë zie që sundonte korridoreve, ka pushtuar edhe sallën e konferencave. Fundja ç’lidhje ka skandali i Pangos me Skënderbeun... Megjithatë situatën e nderë nuk e shmang dot askush. I pranishëm në këtë tryezë ishte edhe zv/ministri Ekrem Spahia, i cili nuk duroi më shumë se fjalimi i parë. Nuk dihet në dikush e mori në telefon, apo bëri sikur, por doli nga salla, pa u kthyer më. Ndërsa historianët sjellin teza e kundërteza, ca punonjës fillojnë e shpalosin ca mbështjellje, duke shtruar një tryezë kokteili me pije freskuese, kek e banane. (Pak ëmbëlsim duhet në kësi rastesh). Ndërkaq zëdhënësja e MTKRS njofton për një konferencë të mundshme për shtyp nga ana e Ylli Pangos, por ora nuk dihet. Do të ishte ai vetë që do të njoftonte me telefon, pasi nuk ndodhej në ministri (madje askush nuk e dinte se ku ndodhej). Siç ishte vënë re, Pango i kishte qejf konferencat e shtypit, megjithatë, duket se e kuptoi që justifikimet e tij për montazhe e shantazhe, nuk do t’i pinin ujë. Tanimë të gjithë ishin kundër tij. Deputetë të majtë e të djathtë po kërkonin “kokën” e tij dhe një konferencë nuk do ta shpëtonte dot. Ndoshta ishte kjo arsyeja, pse njoftimi për orën e konferencës nuk erdhi.
3 nenet
Neni 248
Shpërdorimi i detyrës
Kryerja ose moskryerja me dashje e veprimeve apo mosveprimeve në kundërshtim me ligjin, që përbën mospërmbushje të rregullt të detyrës, nga personi që ushtron funksione publike, kur i kanë sjellë atij ose personave të tjerë përfitime materiale ose jomateriale të padrejta a kanë dëmtuar interesat e ligjshëm të shtetit, të shtetasve dhe të personave të tjerë juridikë, nëse nuk përbën vepër tjetër penale, dënohet me burgim deri në shtatë vjet dhe me gjobë nga treqind mijë deri në 1 milion lekë.
Neni 105
Marrëdhënie seksuale ose homoseksuale duke shpërdoruar detyrën
Kryerja e marrëdhënieve seksuale ose homoseksuale duke shpërdoruar marrëdhëniet e varësisë ose të detyrës, dënohet me burgim gjer në tre vjet.
Neni 259
Korrupsioni pasiv i personave që ushtrojnë funksione publike, kërkimi ose marrja, drejtpërdrejt ose tërthorazi, i çdo lloj përfitimi të parregullt ose i një premtimi të tillë, për vete ose për persona të tjerë, ose pranimi i një oferte a premtimi që vjen nga përfitimi i parregullt, nga personi që ushtron funksione publike, për të kryer ose mos kryer një veprim, që lidhet me detyrën a funksionin e tij, dënohet me burgim nga dy deri në tetë vjet dhe me gjobë nga pesëqind mijë deri në tre milionë lekë.