E Shtunë, 31 Tetor 2026

Gati për protesta: Tubim para FSHF e grevë urie

 

Drejtuesit e klubit të Tërbunit, tifozë të kësaj skuadre dhe lojtarët, kërcënojnë me protesta të fuqishme kundër vendimit të Komisionit të Disiplinës së FSHF-së, që i dënoi me dy vjet përjashtim nga aktivitetet futbollistike dhe zbritje nga Kategoria Superiore. Protestat e tyre mund të nisin që sot, pasi janë planifikuar që drejt kryeqytetit të udhëtojnë dy autobusë me tifozë pukjanë, të cilët do të protestojnë para selisë së federatës. Ndërkaq, burime brenda klubit, bëjnë të ditur se nëse nuk do të ndryshohet masa e dënimit, pra minimalisht Tërbuni të dënohet të luajë në fushë asnjanëse, atëherë futbollistët e skuadrës së Kategorisë së Parë, do të futen në grevë urie, deri sa të plotësohen kërkesat e tyre. Dje në mëngjes është mbledhur me urgjencë edhe këshilli bashkiak i Pukës, që e ka konsideruar shumë të ashpër vendimin e Disiplinorit. Ata e kanë quajtur krejtësisht të padrejtë vendimin, pasi sipas tyre, shkaktari i dhunës ka qenë gjyqtari Sopjani, që ka marrë vendime absurde gjatë ndeshjes me Kastriotin. Drejtuesit e Tërbunit, minimalisht do ta apelojnë çështjen dhe nëse nuk do të ketë zbutje të dënimit, do të nisin protestat masive pranë Federatës Shqiptare të Futbollit. Pritet gjithashtu reagim i ashpër nga Butrinti.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›