Topi shkarkon Pangon, Berisha vendos Ardian Turkun ministër
Kryeministri Berisha zyrtarizon ndryshimin në krye të dikasterit të Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve. Kreu i qeverisë ka dalë vetëm 30 minuta në zyrë dje rreth orës 15:00 sa për të firmosur shkarkimin e ish-ministrit Pango, pas publikimit të videos skandaloze të abuzimit me detyrën. Rreth orës 15:15, zëdhënësja e kreut të qeverisë bëri të ditur se postin e mbetur tashmë vakant do ta marrë ish-kreu i Bashkisë së Elbasanit, Ardian Turku. “Kryeministri i Republikës së Shqipërisë, zoti Sali Berisha, propozon në postin e Ministrit të Kulturës, Rinisë dhe Sporteve, zotin Ardian Turku. Zoti Ardian Turku, aktualisht është kryetar i Qarkut të Elbasanit, ish-kryetar i Bashkisë së Elbasanit, ish-zëvendësrektor i Universitetit të Elbasanit “Aleksandër Xhuvani”. Ai mban titullin “Profesor i Asociiuar”, thuhet në njoftimin për shtyp. Ndërkohë rreth orës 16:00, kreu i shtetit ka firmosur shkarkimin e Pangos. “Në mbështetje të neneve 93 dhe 98, pika 1 të Kushtetutës, me propozim të Kryeministrit, dekretoj: Zoti Ylli Pango, Ministër i Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve shkarkohet nga detyra”, thuhet në njoftimin e zyrës së shtypit të Presidencës. Kreu i ri i këtij dikasteri, Ardian Turku, u afrua dhe mbështetet nga PD-ja dhe u zgjodh kryetar i Bashkisë së Elbasanit në periudhën tetor 2003 – shkurt 2007. Pas zgjedhjeve të 2007-ës zgjidhet kryetar i Këshillit të Qarkut në maj 2007 e në vazhdim. Lajmin për postin e ministrit të Kulturës, Rinisë dhe Sporteve e ka marrë ndërsa është pjesëmarrës si përfaqësues i qarqeve të Shqipërisë me të drejta të plota në Kongresin e Autoriteteve Rajonale të Këshillit të Europës, që po mbahet në Strasburg.