Skandali, Pango e vajzat në Prokurori
Trazhgim Sokolaj
Prokuroria e Përgji-thshme fillon hetimet për skandalin e abuzimeve seksuale nga ish-ministri i Kulturës Ylli Pango. Veprimi i parë i Prokurorisë në kuadër të këtij hetimi, ka qenë sekuestrimi i pamjeve filmike të transmetuara nga emisioni “Fiks-Fare”, ku ish-ministri shfaqet duke kryer veprimet që sollën edhe shkarkimin e tij nga detyra. Me urdhër të organit qendror të akuzës, një oficer i policisë gjyqësore në Prokurorinë e Tiranës, është paraqitur dje në studiot e emisionit “Fiks Fare” dhe ka sekuestruar kasetën që përmban materialet filmike dhe zanore të regjistruara gjatë veprimeve të ish-ministrit Pango. Veprat penale, të cilave u referohet hetimi i filluar dje nga Prokuroria e Përgjithshme, me iniciativë dhe pa denoncim, lidhen me “kryerjen e marrëdhënieve seksuale duke shpërdorur detyrën, mbetur në tentativë” dhe “korrupsion pasiv nga personat që ushtrojnë funksione publike”. Lajmi konfirmohet nga burime zyrtare të Prokurorisë së Përgjithshme, sipas të cilave, hetimi i nisur është në fazën e verifikimeve paraprake. Një term i tillë nënkupton faktin që Prokuroria po verifikon fillimisht autenticitetin e regjistrimeve filmike dhe zanore që ekspozojnë ish-ministrin në kërkim të përfitimeve ndaj vajzës që kërkon të punësohet në dikasterin e Kulturës, Turizmit Rinisë dhe Sporteve.
Hetimi i skandalit
“Nëse në këtë material gjenden indicie të veprës penale, çka do të thotë se veprimet e ministrit bien në kundërshtim me ligjin, atëherë Prokuroria do të fillojë procedimin penal”, thanë më tej burimet nga organi qendror i akuzës. Sipas tyre, në rastin e ish-ministrit Pango, i cili gëzon imunitetin e deputetit të PD-së, menjëherë pas regjistrimit të procedimit penal ndaj tij, është i nevojshëm autorizimi i Parlamentit me heqjen e imunitetit. Ecuria e kësaj çështje duket se është fare pranë hartimit të kërkesës për heqjen e imunitetit edhe për shkak se dosja u hap në Prokurorinë e Përgjithshme, e cila sipas ligjit, ka për kompetencë të hetojë personat me imunitet pas dhënies së autorizimit nga Kuvendi, të drejtë që prokuroritë e tjera në rrethe nuk e kanë. Pjesë e verifikimeve të Prokurorisë së Përgjithshme, duket se do të jetë marrja në pyetje e personave të ekspozuar në video, vajzave që janë përballur me ministrin dhe dëshmia e vetë atij, me qëllim saktësimin e rrethanave dhe zbulimin e më shumë elementëve të ngjarjes nga sa paraqitet në regjistrimet filmike dhe zanore të bëra publike në media. Prokuroria tha se do të marrë kontakt me tri vajzat që kanë takuar ish-ministrin, me qëllim administrimin e dëshmive të tyre apo edhe kallëzimeve penale, në rast se ato duan të denoncojnë zyrtarisht ish-zyrtarin e lartë të Qeverisë. tr.so