E Shtunë, 31 Tetor 2026

Heshtje...dhe nënqeshje

Fatkeqësia që e ka përfshirë këto ditë vendin dhe popullin tonë, natyrisht nuk është dukuri e veçuar në hartën e një kontinenti të tërë. Reshjet e dëborës dhe temperaturat mjaft të ulëta kanë një shtrirje të gjerë. Madje, në Europën Qendrore dhe atë Lindore zhiva e termometrit ka zbritur në kuota të frikshme, që kanë shkaktuar edhe viktima jo të pakta në numër. Por, ajo që e dallon Shqipërinë në peizazhet e murrlanta, përveç tronditjes dhe trishtimit që ngërthehen në shpirtrat e ndjeshëm është se, krahas terreneve të mbuluara me dëborë ka “ngrirë” edhe vetë shteti. Çka do të thotë, që komunitetet në qarqe të ndryshme, në Veri dhe në Jug, pothuajse janë braktisur nga institucionet shtetërore, të cilat gjatë më shumë se një jave paraqiten të çoroditura, apo të papërgatitura për të përballuar situatën e shpallur thjesht, vetëm formalisht, si emergjente.
Por, a ishte vërtet e papritur gjithçka që ndodhi dhe po ndodh? Është e vërtetë, që përgjatë afro dekadave të fundit, dimri i sivjetshëm ishte jo i zakonshëm për tërë Europën. Dhe, nisur nga kjo gjendje, shtetet europiane mobilizuan menjëherë dhe energjikisht të tëra kapacitetet e tyre të shumëllojshme dhe shumëdimensionale. Ndërsa në Shqipëri, megjithëse flokët e dëborës sa vinin e bëheshin më të dendura dhe parashikimet sinoptike nga të gjitha anët lajmëronin për zymtim të mëtejshëm edhe të atmosferës shqiptare, megjithëse nga njësitë vendore të zonave të mbuluara prej shtresave të bardha një, dy e tremetroshe i kërkohej urgjentisht Qeverisë lëvrimi i fondeve të posaçme, nuk u nxitua të shpallej këtu mobilizimi i përgjithshëm, me një akt qeveritar.
Vetëm vonë, shumë vonë, kur akset rrugore, madje edhe ato nacionale u bllokuan plotësisht, kur nga telefonat e paktë dëgjoheshin klithma të dëshpëruara për ndihmë, kur helikopterët nuk mund të ngriheshin as ditën për të shpërndarë ndihma modeste me ushqime dhe medikamente, kur borëpastrueseve nuk u kishte mbetur asnjë litër karburant dhe kur njerëz të sëmurë e foshnja jepnin frymën e fundit në mes të dëborës, Kryeministri deklaron pllakosjen e vendit në një fatkeqësi natyrore. Ashtu siç ka bërë jo shumë kohë më parë, gjatë një viti të tërë, kur u përmbyt pesë herë me radhë zona veriperëndimore e Shqipërisë, efektet mjeruese të së cilës ndjehen dhimbshëm edhe sot. Pra, për përballimin e situatave të vështira, të nxituara e të përkeqësuara nga mosveprimi dhe të shpallura veçse së fundmi si emergjente, institucioneve të këtij vendi, me një kryeministër si Sali Berisha, u mungon jo vetëm vullneti, por edhe përvoja. Po, u mungon edhe përvoja, sepse kjo fitohet, nuk dhurohet.
Në këto kushte, nuk ka asnjë vlerë, qoftë edhe vetëm morale apo etike, që Berisha të hapte ditën e hënë të kësaj jave mbledhjen e grupit parlamentar të Partisë së tij, duke mbajtur një minutë heshtje për viktimat e ortekut në Kosovë dhe vdekjen nga bora të një qytetari në Has. Heshtje, kur priten (për dreq!) viktima të tjera, pa iu afruar ndonjë qendre shëndetësore. Heshtje..., por edhe nënqeshje. Sepse buzët nuk mund të mblidhen aq fort për t’iu shmangur kësaj të fundit, kur dëgjon përrallat e “një mijë e një netëve” nga vizita në Azerbajxhan. Buzët nuk mund të mblidhen aq fort për të shmangur nënqeshjen, edhe kur dëgjon këshillat që ai u jep banorëve të acarit. Këshilla të përfituara nga gjyshi dhe babai i vet atje ku ka lindur, afro 70 vjet më parë, sipas të cilave, të braktisurit nga shteti, vetë duhet të bënin çdo gjë për të eliminuar pasojat e këtij dimri të pazakontë, të pastronin çatitë nga dëbora dhe t’u bënin bisht ortekëve të mundshëm. Buzët nuk mund të mblidhen aq fort për të shmangur nënqeshjen, edhe kur veshi të zinte fjalët e ministrit të Brendshëm, i cili në vend që t’u përmendte telespektatorëve dhe në përgjithësi publikut masat që do të ndërmerreshin me aktivizimin e të gjitha kapaciteteve që disponon dikasteri i drejtuar prej tij, përsëriste si një papagall i ngjirur (ashtu, fjalë për fjalë) këshillat që kishte dhënë pak orë përpara, shefi i tij i padiskutueshëm. Pra, që njerëzit e zënë në çark nga “fatkeqësia natyrore” ta bënin çdo gjë vetë, të bënin çdo gjë mirë, se shteti është në këmbë dhe qeverisja mendjen po e vret shumë(?!).
Mirëpo, nga e gjithë kjo antipërvojë e mëparshme dhe e sotmja, ndoshta është koha të kujtohet mirë, të tregohet edhe me gisht jo “bamirësia” e Sali Berishës, siç duan të thonë e të shkruajnë këto ditë ca delirantë të sëmurë dhe elozhierë të pështirë. Përkundrazi, të kujtohet mirë dhe të tregohet edhe me gisht, që së paku respektimi i të drejtave themelore të njeriut, siç është ajo për jetën apo për sigurinë e personit, nuk mund të vështrohet vetëm si një proces shoqëror; ajo është gjithashtu një kategori juridike e shumëllojtë. Është e tillë, sepse çdo e drejtë e njeriut përbën një lloj specifik të standardeve normative, si edhe një raport të së drejtës publike midis qytetarëve dhe autoriteteve shtetërore, me qëllim mbrojtjen e vlerave karakteristike dhe nevojave, sidomos elementare, të individëve të veçantë dhe komuniteteve ku bashkëjetojnë ata. Prandaj, raporti midis palëve private pothuajse përjashtohet prej konceptit klasik të të drejtave të njeriut, edhe pse gjatë zhvillimeve të këtij të fundit, legjislacioni në këtë fushë ka integruar edhe aspekte të veçanta të dimensionit horizontal.
Madje, prej kohësh është theksuar dhe përsëritur, që për të siguruar strukturën totale, qoftë edhe të një të drejte themelore të njeriut, parapëlqehet t’u referohesh jo vetëm rregullave ligjore, që e formulojnë të drejtën përkatëse në mënyrë eksplicite, por edhe kontekstit më të gjerë normativ brenda të cilit është vendosur ajo. Një qëndrim i tillë me hapësirë më të gjerë mund të sigurohet edhe më mirë, duke e shqyrtuar një të drejtë të caktuar të njeriut, si një marrëdhënie ligjore në fushën e të drejtës publike. Në këtë kuptim bëhet e qartë, gjithashtu, se metoda më efektive për mbrojtjen e të drejtave të njeriut aplikohet kryesisht nëpërmjet institucioneve shtetërore.
Dhe, për t’iu përmbajtur këtij lloj efektiviteti, shpeshherë renditen një sërë arsyesh, prej të cilave, nuk përjashtohet fakti që të drejtat e individëve ekzistojnë dhe marrin kuptim real në marrëdhëniet e tyre me njëri – tjetrin. Por, më së pari, efektiviteti në këtë fushë njeh si aktor kryesor shtetin, qeverisjen, që ka jo vetëm monopolin e forcës, por edhe mundësitë më të mëdha për të realizuar qëllimet dhe idetë politike me të cilat ka ardhur në pushtet. Ai/ajo do të kishte normalisht interes për të mbrojtur së paku interesat më themelore të votuesve të vet, pasi çdo dështim në këtë fushë do të vinte në pikëpyetje legjitimitetin qeverisës, rrjedhimisht edhe të ekzistencës së vetë shtetit.
Konkretisht në këtë kohë, pas disa viteve të vrasjeve me dorën e shtetit (kujto “Gërdecin” dhe “21 janarin”), të përmbytjeve të njëpasnjëshme për interesa të dyshimta (kujto Shkodrën dhe rrethinat e saj) dhe varfërimit masiv të qytetarëve të këtij vendi, nuk ka më hapësirë për të pritur përmirësimin e kësaj qeverisjeje. Ajo e ka humbur përfundimisht legjitimitetin.
(Gazeta Shqiptare/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›