Hetemaj, kombinim i Gattusos e Nocerinos

Beppe Iachini është ndarë mjaft i kënaqur me paraqitjet e Përparim Hetemajt këtë sezon, edhe pse Brescia nuk arriti të mbijetojë në Serie A. Trajneri italian, i cili ndërpreu kontratën me klubin ‘Rondinelle’, e ka lavdëruar mesfushorin kosovar, i cili shfaqi lojëra të mira, në sezonin e parë në elitën e futbollit italian.
Ish-trajneri i Brescias është i vetëdijshëm se Fiorentina e pëlqen përfaqësuesin finlandez, për të cilin nuk ka dyshim se do të luante mirë tek klubi ‘Viola’.
“Hetemaj është zhvilluar shumë. Është një mesfushor me kualitet të mirë. Një futbollist krahu, i cili ka luajtur mjaft mirë këtë sezon. Ma kujton Gattuson, por ka teknikë më të mirë, si Nocerino i sotëm. E di se drejtori i Fiorentinës, Corvino, e pëlqen Përparimin”, tha Iachini në mikrofonin e ’ Radio Toscana’.
Hetemaj ishte i rregullt në formacionin e Brescias në sezonin që përfundoi javë më parë. Ai njëherësh shënoi edhe dy gola. Për të, interesim kanë shfaqur Fiorentina dhe Roma.