E Shtunë, 31 Tetor 2026

Hysi, gati për festë

Xhiroja e 32’të mund ta përcaktojë kampionin e ri të Kosovës. Liderit të Superligës, Hysit i duhen tri pikë përballë Trepçës ’89 për ta siguruar edhe matematikisht titullin e kampionit. Bardhezinjtë besojnë në fitore, derisa i kanë bërë të gjitha përgatitjet që ta festojnë titullin e parë në histori të klubit. Ndërsa Vëllaznimi e Flamurtari do t’i kërkojnë pikët e mbijetesës. Nga Kaltrin Morina më 08 qershor 2011 në ora 12:33

Të mërkurën do të zhvillohen ndeshjet e parafundit në Superligën e Kosovës në futboll. Xhiroja e 32’të mund të vendosë kampionin e ri në futbollin tonë.

Liderit të Superligës, Hysit, i duhen tre pikë në përballje me Trepçën ’89 për ta siguruar matematikisht titullin e kampionit. Trajneri i ekipit bardhezi, Fadil Ademi thotë se janë bërë gati që ta festojnë titullin e parë në histori të klubit.

“Ne jemi te vetëdijshëm për rëndësinë e takimit se nëse fitojmë tri pikë, ne do të shpallemi kampion, do të hyjmë në lojë me një përgatitje maksimale për fitore. Por ne do të mundohemi të bëjmë lojë të mirë dhe cilësore se pritet të ketë shikues shumë më shumë se herëve të tjera për shkak se nëse fitojmë, do ta festojmë në shtëpi titullin”, tha Ademi.

Në anën tjetër, ekipi i ‘xehetarëve’ në Merdar do të synojë një rezultat pozitiv, edhe pse janë të vetëdijshëm që do ta kenë të vështirë përballë një skuadre siç është Hysi.

“Ne nuk guxojmë të bëjmë paragjykime se do t’i fitojmë tri pikë apo jo, por ekipin e kemi të kompletuar, jemi te përgatitur maksimalisht, por çdo gjë do të shihet në fushë. Motivi është kah ana e Hysit, sepse për ta është një ndeshje shumë me rendësi që mund t’i bëjë kampion ata dhe se është një ndeshje historike për ta. Ne do të shkojmë të japim maksimumin atje”, ka thënë trajneri i Trepçës ’89, Gani Sejdiu.

Ndërsa përcjellësi i liderit, Prishtina do të jetë mysafire e Besës. Prishtinasit duhet të triumfojnë në Pejë dhe të shpresojnë në një rezultat negativ të Hysit përballë Trepçës’89 për t’i mbajtur gjallë shpresat për titull.

Nëse kjo ndodh, atëherë titulli i kampionit do të vendosej në xhiron e fundit, ku përballë do të jenë pikërisht dy pretendentët për titull, Prishtina dhe Hysi.

Ndeshje interesante pritet të zhvillohen edhe ndërmjet ekipeve që po luftojnë për mbijetesë. Ferizaj që pothuajse ka rënë nga liga do ta presë Vëllaznimin që po synon ta sigurojë vendin e 10’të, i cili dërgon në barazh.

Ndërsa edhe Flamurtari që po lufton për të njëjtën pozitë, do të ketë udhëtim të vështirë në Mitrovicë, ku e pretë kampioni aktual, Trepça.

Superliga – xhiroja 32

E mërkurë
Ferizaj-Vëllaznimi
Trepça – Flamurtari
KEK’u – Ballkani
Hysi- Trepça 89
Besa- Prishtina
Liria – Drenica
Të gjitha ndeshjet do të zhvillohen në orën 17:00

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›