Me akuza e arsyeton dështimin

Udhëheqësit e Hysit u janë kundërpërgjigjur akuzave të trajnerit të Prishtinës, Ramiz Krasniqi, i cili një ditë më parë thoshte se në fazën e tretë të sezonit u punua shumë në dëm të bardhekaltërve dhe në favor të Hysit.
Kryeshefi ekzekutiv i Hysit, Afrim Macula ka mbetur i befasuar me deklaratat e trajnerit prishtinas. Ai insiston se skuadra nga Merdari gjendet me meritë në pozitën e parë, ndërsa mendon se Prishtina e ka vetë fajin për këtë rënie të saj.
“Trajneri Ramiz Krasniqi më ka befasuar me deklaratat e tij. Por, ai duhet të arsyetohet disi, pasi pothuajse mbeti pa asnjë trofe. Prishtinën nuk e ka dëmtuar asnjë gjyqtar këtë sezon. Nuk e di se përse ky klub nuk është marrë me problemet e veta, por me të të tjerëve. Thonë, së pari shikoje oborrin tënd, pastaj të tjetrit”, deklaroi fillimisht Macula.
“Po ndeshja me Besën në finale të Kupës? A e dëmtoi edhe aty Prishtinën gjyqtari? Pastaj humbjet nga KEK-u, Drenica e Ballkani. Vetë prishtinasit e dinë se pse i pësuan këto humbje, unë nuk dëshiroj të flas. Këto humbje i kanë kushtuar kësaj skuadre”, vazhdon ai.
Prishtinasit vazhdimisht i kanë akuzuar gjyqtarët se po e ndihmojnë Hysin. Por, ndryshe mendon zyrtari i klubit llapjan.
“I vetmi rast ishte ai i ndeshjes me Besën, kur gjyqtari ka gabuar dhe ka dhënë penallti për ne. Gjyqtarët gabojnë çdo kund, edhe ata janë njerëz. A e keni parë gabimin e gjyqtarit, i cili e dërgoi Francën në Botërorin 2010? Të gjitha ndeshjet e tjera i kemi fituar me meritë”, shtoi Macula, i cili e pranon megjithatë se Hysi ka raporte të mira me Prishtinën, përkundër këtyre akuzave.
Hysi do ta zhvillojë njërën prej ndeshjeve më të rëndësishme të mërkurën (sot) ndaj Trepçës’ 89. Në rast të fitores, skuadra e Fadil Ademit do të shpallej kampion edhe matematikisht.