E Diel, 1 Nëntor 2026

Heterogjenë në besim, homogjenë në kombësi

Toleranca fetare te shqiptarët nuk është një cilësi e zhvilluar në kohërat moderne dhe as e formuar me arsim dhe shkollë. Ajo është një traditë që vjen nga thellësia e shekujve. Një prej gabimeve më të rëndomta që bëhen zakonisht kur trajtohet kjo çështje është se toleranca lindi te shqiptarët pas mbërritjes së faktorit politik dhe fetar osman, domethënë pas shekullit të 15-të. Kjo është në kundërshtim me faktet historike. Toleranca fetare te shqiptarët ka ekzistuar para shfaqjes së këtij faktori. Nga fundi i mesjetës filloi islamizimi i një pjese të shqiptarëve. Me këtë zhvillim të ri ka pasur abuzime, sidomos në politikë. Shpesh shqiptarët quhen një popull mysliman, ose me shumicë myslimane. Ky është një lexim shumë sipërfaqësor i realitetit shqiptar. Së pari, sepse Shqipëria është një shtet laik dhe një popull shumëfesh, heterogjen për nga besimi, por homogjen për nga qëndrimi ndaj besimit, duke i rezervuar primatin ndjenjës kombëtare; së dyti, sepse islamizmi në Shqipëri nuk është fe e përhapur në kohën e origjinës, as besim tradicional, por një dukuri e ardhur dhe e trashëguar në gjuhën dhe liturgjinë e atij faktori që e solli. Pranimi i islamit nga shqiptarët u favorizua jo vetëm nga karakteri heterogjen i besimit që gjeti ish-perandoria osmane në këtë rajon, ku pikëtakoheshin ortodoksia dhe katolicizmi; jo vetëm nga dobësimi i përgjithshëm i autoritetit të kishës katolike për shkak të protestantizmit dhe i kishës bizantine për shkak të pozitës së varur ndaj pushtetit perandorak osman, por edhe sepse shqiptarët shpesh ia kanë lejuar vetes të sillen në mënyrë liberale dhe pragmatiste ndaj besimit, duke vlerësuar si tipar themelor etnodallues kombësinë. Historia e besimit në Shqipëri njeh zona të tëra ku popullsia i ushtronte paralelisht të dyja besimet. Ashtu sikurse njeh zona të tjera ku e njëjta faltore të premten shërbente për liturgjinë islamike dhe të dielën për liturgjinë e krishterë.

Duke qenë se nuk mund të pretendohet për të vërteta duke e kuptuar islamizimin si një fatkeqësi, sikurse ndodh ndonjëherë në studime, por si një realitet, që nuk shkaktoi divergjenca në proceset përbashkuese etnike, si dhe për të relativizuar faktorët historikë me ndikim parësor në këtë proces, duke përjashtuar demonizimin e cilitdo prej faktorëve të pranishëm, duket se procesi i islamizimit në Shqipëri u përhap më gjerësisht se në rajone të tjera evropiane (Bullgari, Qipro, Bosnje) më së shumti për t‘iu shmangur detyrimit "dy për një", detyrim që më pas u bë "tre për një" dhe ndoshta edhe më shumë.

Në identitetin e shqiptarëve, ndjenja kombëtare qëndron mbi dallimin fetar. Njeriu shqiptar është së pari pjesëtar i një bashkësie etnike dhe pastaj i një bashkësie fetare. Një nga ideologët e Rilindjes Kombëtare të shqiptarëve është shprehur në mënyrë lakonike: "Feja e shqiptarëve është shqiptaria". Sido që me kuptim filozofik-politik, kjo shprehje të kujton të vetmen eksperiencë në botë, ku feja e një populli është nacionaliteti i tij: hebrenjtë, feja dhe kombësia e të cilëve është hebraizmi. Te shqiptarët, problemi qëndron vetëm pak ndryshe: midis kombësisë dhe fesë shqiptarët primatin gjithnjë ia kanë dhënë kombësisë, dhe prandaj kombësia (shqiptaria) është feja e tyre e vërtetë.

Toleranca te shqiptarët nuk është vetëm fetare, por edhe gjuhësore dhe në shumë raste edhe etnike. Në vitet e Luftës së Parë Botërore në Shqipëri kishte ushtri të huaja të pafundme, gati sa në gjithë Ballkanin: austriake, franceze, italiane, greke, serbe, malazeze, bullgare, turke. Kur lufta mori fund dhe këto ushtri nuk kishin as ushqim për të ngrënë, as ilaçe për të shëruar plagët, as mjete për t‘u kthyer në atdheun e vet, populli shqiptar i mbajti nëpër familje, megjithëse e dinte mirë se shumica e tyre kishin bërë krime dhe mizori mbi vetë shqiptarët. Në periudhën pas 8 shtatorit 1943, kur Italia e Musolinit falimentoi, në Shqipëri gjendeshin mbi 20 mijë milicë dhe oficerë, që kishin ardhur në Shqipëri si ushtri pushtuese. Kjo ushtri u gjend brenda dy javësh e çarmatosur dhe e trajtuar si ushtri dezertore, e destinuar për t‘u shfarosur nga ushtria naziste. Populli shqiptar e shpëtoi këtë ushtri nga tmerri që e priste, megjithëse ajo ushtri kishte vrarë e djegur, kishte dhunuar e plaçkitur. Ushtarët italianë u veshën me kostume tradicionale shqiptare dhe u strehuan në familjet e shqiptarëve.

I pashembullt është qëndrimi i shqiptarëve ndaj hebrenjve gjatë Luftës së Dytë Botërore. Qeveritë shqiptare që bashkëpunuan me autoritetet fashiste dhe naziste, si kudo në botën e asaj kohe, bashkëpunuan si qeveri vasale, por ato asnjëherë nuk ua dorëzuan ushtrive të huaja listat e hebrenjve. Shqipëria është vendi i vetëm në botë ku, megjithëse në kushte pushtimi të dyfishtë, asnjë hebre nuk u dorëzua, asnjë hebre nuk përfundoi në kampe përqendrimi, asnjë hebre nuk u viktimizua. Dhe nuk është fjala për hebrenjtë e vetë Shqipërisë, shtetas të saj, por për afro 2000 hebrenj të ardhur nga shtetet ballkanike, në arrati e sipër për t‘i shpëtuar rrezikut të zhdukjes atje ku ishin. Këta hebrenj, pjesa më e madhe e të cilëve hynë ilegalisht në Shqipëri, gjetën mbrojtje të menjëhershme dhe të pakushtëzuar nga autoritetet dhe populli shqiptar. Të dhëna të tjera bëjnë të ditur se ky numër duhet të ketë qenë edhe më i madh, ndoshta përafërsisht 3000.

Toleranca përbën një tipar etnotipik të shqiptarëve. Jo se nuk ka tolerancë te popujt e tjerë. Ndoshta kjo cilësi është e lidhur edhe me pozitën gjeopolitike të shtetit shqiptar. Ndërsa Perëndimi e ka parë Ballkanin dhe portën e tij - Shqipërinë - si një Lindje ekzotike; përkundrazi, Lindja e ka parë atë si Perëndim të pasur. Në kryqëzim të dy botëve, shqiptarët kanë marrë e dhënë me të dyja, duke ruajtur thelbin e vet identifikues, duke shërbyer si urë kalimi ndikimesh dhe duke përvetësuar edhe vetë prej tyre. Kështu u formua te shqiptarët bindja historike se dallimi, qoftë ky fetar, rajonal, racor, gjenetik, kombëtar, kulturor etj., nuk është rrezik, por pasuri. Një bindje e tillë ka formësuar tolerancën ndërfetare te shqiptarët, një bindje e tillë e ka bërë qytetërimin e saj një qytetërim të hapur.

Heterogjenë në besim, homogjenë në identitet. Kështu ka qenë gjithmonë me shqiptarët dhe madje edhe me para-shqiptarët: heterogjenë në besim, homogjenë në identitetin kombëtar, në etnotipin e tyre. E gjithë historia fetare e Shqipërisë i ngjan një palimpsesti. Sapo mendon se ke prekur shtresën më të vjetër, befasisht zbulon se ka edhe një tjetër nën të. Në krishterimin e hershëm, në të njëjtën faltore, nën të njëjtën çati, gjendej "pema e jetës" dhe "pastori" me grigjën në një marrëdhënie paqësore, përkujdesëse, jo si në lashtësinë antike, kur njeriu paraqitej gjithnjë si vrasës i gjallesave; sinagoga hebraike dhe bazilika e të ungjillëzuarve (Onhezmios, Sarandë). Në mesjetën e hershme, princërit Balshaj, brenda një shekulli vendosnin tri herë të pranonin ortodoksinë skizmatike dhe tri herë po ashtu pendoheshin dhe i kërkonin falje Selisë së Shenjtë, duke iu lutur me shkrim për t‘i ripranuar si të krishterë të devotshëm romanë. Në po atë shekull, Topiajt rindërtonin Manastirin e Shën Gjon Vladimirit, "që erdhi nga viset e Bullgarisë", sikurse thuhet në dëshmitë e vjetra dhe në hyrje të tij shkruanin në gur të njëjtin kumt, në tri gjuhë që e përjashtonin rreptësisht njëra-tjetrën: latinisht, greqisht dhe staroslavisht. E po në atë kohë, Topiajt nuk njihnin si autoritetin më të lartë kishtar as Papatin, as Patrikanën, por "anti-papën e Avinjonit". Do të kalonin vetëm pak dekada dhe kisha katedrale e Durrësit do të njihej terminologjikisht si "kishë birituale", në të cilën të krishterët, romanë e bizantinë, heterogjenë nga riti dhe homogjenë nga prejardhja etnike, nuk e ndienin njëri-tjetrin aspak përjashtues.

Ndërsa autoriteti i kishave perëndimore e lindore në këtë qytet ndërrohej me të njëjtën lehtësi si shfletimi i një kalendari, në kishën mitropolitane të Beratit, vetë kryeprifti përkthente për besimtarët ortodoksë librat e "sjelljeve të arta" (hrysoithia) të autorëve fiorentinë katolikë. Nuk dihet të ketë shënime që ka mbajtur historia për ndonjë konflikt të ndodhur në kohën kur mbi themelet e Manastirit të Shën Spiridonit në malin e Krujës, gjurmët e të cilit mund të shihen edhe sot me sy të lirë (fragmente ilustrimesh në vizatime murale dhe mbishkrime shpjeguese në gjuhën greke të mesme), do të ngrihej faltorja e bektashinjve në emrin e Sari-Saltikut. Aq më pak mund të gjenden shënime të tilla për atë që ndodhi më pas, kur cikli i këngëve rituale kushtuar shenjtit të krishterë, mbrojtësit të njeriut në det, në ujë, në lundrim, në furtunën e dallgëve, do t‘i bartej shenjtit të besimtarëve bektashinj. Por, ç‘është më thelbësore, duket se asnjë sherr midis shqiptarëve nuk ndodhi as kur kishat e qyteteve të mëdha u kthyen në "xhami mbret", as kur katedralja ku u prehën (për aq kohë sa i lanë të qeta) eshtrat e Gjergj Kastriotit - Kisha Katedrale e Shën Kollit në Lezhë u kthye në faltore islame.

Dihet mirë se gjeografia politike ndikon mbi historinë politike. Ky është një ligj i përgjithshëm zhvillimi. Shumë herë gjeografia politike ka ndikuar për keq në fatin historik të shqiptarëve. Perëndim i lakmueshëm për Lindjen dhe Lindje ekzotike për Perëndimin, Shqipëria ka ndjellë mbi vete ndikime që jo gjithnjë kanë qenë në mbarësinë e saj. Është e ditur se simboli i urës, aq i bukur dhe i fismë në realitetin estetik, po aq i dhimbshëm është në realitetin e provuar. Por "vija e Teodosit" dhe gjithë mjedisi gjeo-rajonal fetar i mëpasmë dëshmohet se shqiptarëve u zhvilloi një cilësi të rrallë, të cilën disa e quajnë tolerancë fetare, disa të tjerë mirëkuptim, të tjerë akoma bashkëjetesë, konvergjencë, pragmatizëm. Si për çdo dukuri tjetër, edhe për këtë, nuk kanë munguar e nuk mungojnë dhe kritizerët, të cilët, heterogjenitetin fetar, përkundër homogjenitetit etnik, e quajnë thjesht një dobësi.

Është në nderin e këtij vendi që autoritetet ndërkombëtare iu drejtuan pikërisht Shqipërisë, përmes ministrit të Jashtëm spanjoll, për t‘i kërkuar ndihmë për të ushtruar ndikimin e vet për të shuar konfliktet e përflakura dhe kërcënuese, që ndodhën në botë në fillimin e vitit 2006, pas botimit të karikaturave të profetit Muhamed në shtypin danez. Ajo që iu kërkua Shqipërisë, si "vend euro-mesdhetar", nuk ishte thjesht një ndikim pasiv, në kuptimin që në këtë vend të mos kishte përsëritje të të njëjtave ngjarje që po ndodhin gjetiu. Natyrisht se nuk ishte as një frazë rastësore apo një lajkatim i traditës vendëse të përjashtimit të konfliktit fetar. Pavarësisht se vitet e fundme ka pasur disa provokime për të vënë në provë nëse konvergjenca ndërfetare te shqiptarët është e vërtetë apo agjitative, të gjitha provat janë kaluar dhe bindja e pajtueshmërisë së plotë të heterogjenitetit fetar me homogjenitetin kombëtar është forcuar. Nga Shqipëria u kërkua diçka më shumë, diçka më e rëndësishme. Nga Shqipëria u kërkua një ndërmjetësim. Pas pesë shekujsh, që prej qëndresës arbërore të udhëhequr nga Gjergj Kastrioti, Evropa ndjeu nevojën t‘i drejtohet të njëjtit popull, të njëjtit vend, gjeopolitikisht "euro-mesdhetar" dhe nga ana fetare me një "islam me fytyrë evropiane", të luajë një rol zbutës, të përcjellë atje ku duhej përvojën e vet. Një vendi të vogël si Shqipëria, shumë rrallë mund t‘i rastisë t‘i kërkohet një ndërmjetësi e tillë, në shkallë ndërkombëtare.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›