E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kolin Pauell vihet zyrtarisht përkrah Obamës

Barak Obama tashmë po fiton terren mbi rivalin presidencial në çdo fushë të mundshme, madje, edhe në shtete si Misuri, që janë historikisht pro-republikanë, ndërkohë që shtypi i shkruar amerikan është rreshtuar në pjesën dërrmuese përkrah tij. Por impakti më i rëndësishëm është pozicionimi i republikanit me peshë, Kolin Pauell, përkrah kandidatit demokrat.

Vetëm në Berlin, Barak Obama ka arritur të grumbullojë më shumë njerëz nga ç‘u mblodhën të shtunën mbrëma në Misuri, për të dëgjuar fjalën e kandidatit demokrat të zgjedhjeve presidenciale. Lajmi u dha menjëherë prej televizioneve për faktin se Misuri ka qenë tradicionalisht republikan dhe se vështirë që deri pak javë më parë, demokratët të mund të shpresonin për shanse suksesi. Sipas ekspertëve, është shumë domethënës fakti që Obama arrin të tërheqë kaq shumë vëmendjen e një shteti "të kuq", pra republikan.

Ndërkaq, në pamundësi për të korrigjuar dizavantazhet e sondazheve, MekKeini shton pareshtur tonet negative të fushatës së tij, duke e akuzuar rivalin si "socialist", ose e thënë më thjesht mbështetës të politikave kolektiviste të stilit të Bashkimit Sovjetik. Po kaq negative është edhe këmbëngulja te sulmet për miqësinë e hamendësuar të Barak Obamës me Bill Ajersin, ekstremistin e majtë të epokës së protestave kundër luftës në Vietnam. Kjo ka bërë dy senatorë, të të dyja partive amerikane, të dalin së bashku me një apel bipartizan, me të cilin i kërkojnë MekKeinit të heqë dorë nga një sjellje e tillë. "Në politikë nuk ka vend për taktika të tilla", deklaruan njëzëri senatori demokrat, Herri Rid, dhe senatorja republikane Suzan Kollins.

Por sot, vetëm tri javë nga dita e votimit, MekKeinit i duhet të mbrohet në të majtë e në të djathtë, edhe për vendimin e zgjedhjes së Sara Peilin për të bashkëkandiduar. Autorja e fjalimeve të Ronald Reganit, republikania Pegi Nunan, e cilësoi kandidaten për zëvendëspresidente si "budallaqe, e paedukatë dhe e pagdhendur", ndërkohë që një zë tjetër republikan po kaq autoritar, Deivid Bruks, e përkufizoi si "kancer brenda radhëve të partisë".

Po këto trende kanë ndjekur edhe ato segmente të shtypit që janë rreshtuar shumë më tepër përkrah Barak Obamës se Xhon MekKeinit. Obama, deri dje numëronte plot 58 gazeta në anën e tij, 17 prej të cilave të pozicionuara gjatë dy ditëve të fundit. Mes tyre, figurojnë kolosë të gazetarisë amerikane si "Los Angeles Times" apo "Chicago Tribune", një e përditshme tradicionalisht amerikane, që nuk ka mbështetur kurrë ndonjë demokrat gjatë gjithë historisë së saj (është themeluar në vitin 1947). Në krah të Obamës janë rreshtuar edhe "Denver Post", "Atlanta Journal-Constitution", "Salt Lake Tribune", "Kansas City Star", "Chicago Sun-Times" dhe gjatë ditëve të mëparshme "Washington Post" dhe "San Francisco Chronicle". Republikani Xhon MekKein, deri tani, gëzon mbështetjen e vetëm 16 gazetave, asnjë prej të cilave e dorës së parë, përveç "New York Post" të Rupert Murdok.

Siç kishte paralajmëruar edhe gjenerali Kolin Pauell, ish- sekretar Shteti, deklaroi mbrëmë se për të zgjedhja më e mirë është Barak Obama. Në një intervistë të dhënë për emisionin e NBC "Takoni Shtypin", Pauell, megjithëse republikan, u vu përkrah Obamës, të cilin e konsideroi "figurë transformimesh" që mund të ishte "president i jashtëzakonshëm". Shtoi se do të votonte për Obamën në zgjedhjet e 4 nëntorit, por se nuk kishte ndër mend ta ndihmonte gjatë fushatës, e cila tashmë ka hyrë në javët e saj të fundit.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›