Hetim dëmshpërblimeve dhe ankesave të grevistëve të Gërdecit
Krahas evidentimit të zonave të rrezikshme, komisionerët e Avokatit të Popullit po kryejnë hetime edhe për mënyrën e dëmshpërblimit në Gërdec. Ankesat e personave që kanë hyrë në grevë urie do t‘i rekomandohen ministrit Nishani për përmbushjen e tyre. Në bazë të ankesave të disa qytetarëve, banorë të Vorës dhe fshatrave përreth, zyra e Avokatit të Popullit realizoi një takim me një grup prej tyre në ambientet e Bashkisë Vorë. Në morinë e kërkesave dhe ankesave, të cilat këta banorë bënë prezent, institucioni i Dobjanit ka filluar një hetim të pavarur. Ish-punonjës të fabrikës së çmontimit të municioneve u ankuan për mospërfitimin e pagës së fundit, që i referohet periudhës 1-15 mars 2008, kohë gjatë së cilës ata kanë vijuar marrëdhëniet e punës pranë këtij subjekti. Ankesa e dytë e banorëve konsistonte se personat, të cilët u plagosën nga shpërthimi i ndodhur në Gërdec, të trajtuar në kushte spitalore apo ambulatore, nuk e kanë përfituar dëmshpërblimin si rezultat i dëmtimeve të tyre fizike. Një pjesë e këtyre banorëve të plagosur, tashmë janë dhe të paaftë për punë, ndaj për këtë arsye kërkohet trajtimi si e gjithë kjo kategori. Ndërsa, disa banorë të tjerë u ankuan lidhur me mospërfshirjen në masën e dëmshpërblimeve që do të përfitojnë nga vlerësimet e komisioneve respektive të rreth 280 mjeteve motorike që kanë pasur, të shkatërruara tashmë. Komisionerët dhe Dobjani deklarojnë se nga të gjitha aktet nënligjore të nxjerra për përballimin e situatës së krijuar nga fatkeqësia në Gërdec, nuk rezulton të jetë bërë ndonjë rregullim ligjor lidhur me këtë fakt. Banorët e Gërdecit ngritën pretendime për shumën e ndihmave dhe donacioneve të akorduara qeverisë, si dhe mënyrën e menaxhimit të tyre, duke pretenduar trajtim të pabarabartë dhe shkelje të të drejtave të tyre dhe duke kërkuar transparencë për publikimin e tyre në media, si dhe në qendrat e banimit. Dobjani i shkruan Nishanit se "nga gjithë sa më sipër ju paraqitëm, më lejoni gjithashtu t‘ju sugjeroj që një pjesë e dëmshpërblimeve që kërkohen, nëse ato rezultojnë të bazuara, mund të parashikohet të mbulohen nga llogaritë e sekuestruara të firmës ‘Alba Demil‘, për të cilën kërkohet një bashkëpunim konkret me Prokurorinë e Përgjithshme, nëse çmohet e arsyeshme".
Disa ditë më parë, Avokati i Popullit i shkruante ministrit të Mbrojtjes, Gazmend Oketës, në lidhje me zonat me rrezik të shtuar se "nga përgjigjet që kanë ardhur deri tani nga titullarët e njësive të qeverisjes vendore, rezultojnë se në afërsi të 25 qendrave të banuara apo akseve rrugore ka objekte ushtarake, që potencialisht mbartin rrezik për jetën, shëndetin dhe pronën e qytetarëve". Pra, një pjesë e mirë e komisionerëve të zyrës së Dobjanit po merren me ankesat e shumta të personave të prekur nga tragjedia e Gërdecit, për mungesë transparence, ndihmë financiare dhe trajtim të njëanshëm nga qeveria të problemeve të tyre.