Vidhnin naftë se s‘merrnin rrogë, pranga katër policëve
Policia e Fierit ka arrestuar paraditen e djeshme katër punonjës policie, të cilët shërbenin në ruajtjen e Kombinatit të Përpunimit të Thellë të Naftës në Ballsh, si dhe një civil që transportonte naftën e vjedhur. Mësohet se gjatë natës, duke gdhirë e diel, ndërsa kanë qenë duke kryer shërbimin, në bashkëpunim me njëri-tjetrin të katër uniformat blu kanë vjedhur sasi të konsiderueshme gazoili. Ata janë Fatmir Hajdari, Bashkim Nuhaj, Agron Madhi dhe Idajet Shehaj. Pas marrjes në pyetje nga agjentët e krimit ekonomiko-financiar, si dhe nga oficerë të Shërbimit të Kontrollit të Brendshëm, të katër punonjësit e policisë kanë deklaruar se kanë që nga muaji mars i këtij viti që nuk janë paguar për punën e tyre dhe arrinin të mbanin familjet vetëm me lekët që siguronin nga nafta që vidhnin e që më pas e shisnin me çmim më të ulët në treg. Burimet zyrtare të policisë së Fierit bëjnë të ditur se gjatë natës, kur është konstatuar vjedhja, në shërbim për të ruajtur Kombinatin e Përpunimit të Thellë të Naftës në Ballsh ka qenë toga e drejtuar nga oficeri Petrit Murataj. Rreth orës 02:00 të mëngjesit të së dielës, në bashkëpunim me njëri-tjetrin, të katër policët e arrestuar kanë mundur të marrin me bidonë 30 litërsh sasi të konsiderueshme gazoili. Me anën e një automjeti, pronë e një personi të pestë, është bërë transportimi i naftës së vjedhur nga uzina në drejtim të fshatit Panahor. Në momentin që kanë zbuluar se po ndiqeshin nga policia, personat që transportonin naftën e vjedhur kanë ndaluar në hyrje të fshatit Panahor dhe kanë braktisur automjetin. Mësohet prej burimeve zyrtare të policisë se automjeti është i tipit "Volkswagen" dhe në të është gjetur një sasi e madhe gazoili special. Madje, policia bën të ditur se në automjet, përveç bidonëve të shumtë 30 litërsh të mbushur me gazoil, janë gjetur dhe 13 bidonë të tjerë bosh. Automjeti me ngjyrë të bardhë, me targa MK1832A, ka nxjerrë për policinë emrin e pronarit. Menjëherë pas ndalimit të tij, agjentët e krimit ekonomik kanë shkuar me hetimin e tyre shumë pranë uniformave blu të inkriminuara në këtë vjedhje. Burimet policore tregojnë zyrtarisht se bëhet fjalë për katër policë të togës së komanduar nga oficeri Petrit Murataj. Gjatë marrjes në pyetje nga agjentët e luftës kundër krimit ekonomiko-financiar, policët kanë thënë se që nga muaji mars nuk janë paguar. Madje, për ta është shkëputur edhe kontrata e punës me Drejtorinë e Policisë, ndërkohë që u kërkohet shërbim më i rreptë në vendrojat e tyre. "Mungesa e pagës na ka shtyrë për të vjedhur që të mbajmë familjet", mësohet të ketë thënë njëri nga policët e arrestuar. Çështjen e arrestimit për të katër uniformat blu, si dhe të një të pesti e ka marrë në shqyrtim dhe Shërbimi i Kontrollit të Brendshëm në Drejtorinë e Policisë së Qarkut Fier. Burime nga SHKB-ja sqaruan se hetimi për këta policë kishte nisur disa javë më parë, pasi kishte dyshime se ata vidhnin naftë, ndërkohë që finalizimi i hetimeve ka përfunduar me arrestimin e tyre, si dhe të një të pesti paraditen e së dielës. Dy muaj më parë, një tjetër polic i KJPTHN-së së Ballshit, Vilson Prifti, u arrestua duke vjedhur naftë gjatë shërbimit.