Ndalohet kosovari i kërkuar nga Interpoli
Në mbrëmjen e së shtunës, rreth orës 23:00, në Doganën e Morinit policia e kufirit ka ndaluar shtetasin kosovar Luan Shala, 30 vjeç, nga Rugova, i cili gjatë kontrollit rutinë në sistemin elektronik rezultoi të ishte person i shpallur në kërkim. Burime të Drejtorisë së Policisë së Qarkut Kukës thanë dje se Shala kërkohej nga Interpoli për krime të kryera në Gjermani dhe Zvicër, por nuk kanë specifikuar se për çfarë krimesh akuzohej konkretisht ky person. Shala po udhëtonte nga Kosova për Shqipëri dhe gjatë ndalimit nuk ka bërë asnjë rezistencë, madje ka hedhur poshtë faktin se është person i kërkuar, por, gjithsesi, burime të policisë thanë se ai ishte një person i shpallur në kërkim ndërkombëtar dhe se mbetet që ditën e hënë të sqarohen detaje të mëtejshme lidhur me aktivitetin e tij kriminal në Gjermani e Zvicër.