Trafikonin të mitura në Itali, arrestohen dy gra dhe një burrë
Policia e Lushnjës, në bashkëpunim me agjentët e antitrafikut në Drejtorinë e Policisë së Qarkut Fier, kanë vënë në pranga mëngjesin e së dielës tre persona, dy prej tyre femra. Akuza që është ngritur për të arrestuarit është ajo e "shfrytëzimit të prostitucionit në rrethana rënduese", si dhe "moskallëzim krimi". Sipas policisë, të arrestuarit kanë qenë organizatorët e një rrjeti prostitucioni, që rekrutonte femra në Shqipëri dhe i shfrytëzonte ato në Itali. Denoncimet e kryera prej më shumë se 3 të shfrytëzuarave në periudha të ndryshme kohe, çoi policinë drejt zbulimit të këtij rrjeti. Ka qenë operacioni i koduar "Napoli" ai që ka prangosur orët e para të mëngjesit të djeshëm 38-vjeçarin me inicialet Sh.R., si dhe 53-vjeçaren me inicialet N.P., dhe vajzën e saj 30 vjeçe me inicialet E.DH. Policia nuk i bën të ditur emrat e të arrestuarve dhe zyrtarisht e ka motivuar këtë me faktin se hetimet janë duke vijuar dhe janë shtrirë jo vetëm në Fier e Lushnjë, por edhe në disa qytete italiane, ku dyshohet se ky rrjet ushtronte aktivitetin e tij. Në komunikimin zyrtar me mediat, zëdhënësja e policisë së Fierit, Valbona Meço, ka shpjeguar se: "Operacioni i koduar ‘Napoli‘ ka nisur në orën 21:30 të mbrëmjes së të shtunës, për të përfunduar me tre arrestime në orën 07:00 të mëngjesit të së dielës, ndërkohë që është duke vijuar ende". Zëdhënësja e policisë tha gjithashtu se "të tre personat e arrestuar, mes të cilëve dy femra, janë banorë të qytetit të Lushnjës dhe akuzat e ngritura ndaj tyre janë "shfrytëzim prostitucioni në rrethana rënduese" dhe "moskallëzim krimi". Sipas zëdhënëses, të arrestuarit, në bashkëpunim me njëri-tjetrin, kanë trafikuar dhe më pas kanë shfrytëzuar për prostitucion në qytetin e Napolit në Itali një numër të madh femrash gjatë një periudhe prej tre vjetësh. Hetimi për zbardhjen e këtij rrjeti trafiku dhe shfrytëzimi femrash ka nisur tre muaj më parë, pas denoncimit të 17-vjeçares nga qyteti i Lushnjës Anisa K., e cila është shfrytëzuar si prostitutë për më shumë se dy vjet në Napoli të Italisë. Vajza ka qenë vetëm 15 vjeçe, kur me anën e mashtrimit është dërguar në Itali dhe është detyruar të prostituojë. Ajo u ka thënë hetuesve se kishte ikur në Itali bashkë me disa vajza të tjera të moshës së saj, e mbikëqyrur nga tre personat e arrestuar dje.