Prostitucioni nëpër lokale, problem për policinë
Dikur Fieri ishte një vatër e trafikut të qenieve njerëzore, ndërkohë që vitet e fundit është kthyer në një vatër të shfrytëzimit për prostitucion. Rastet e trafikimit të qenieve njerëzore në Qarkun e Fierit kanë pësuar një ulje të ndjeshme gjatë dy viteve të fundit. Sipas të dhënave zyrtare të policisë së Qarkut Fier, konfirmohet se lufta dhe përpjekjet e përbashkëta të drejtorisë së policisë dhe strukturave të tjera të luftës kundër krimit janë institucionalizuar në krijimin e Komitetit Rajonal të Luftës Kundër Trafiqeve të Qenieve Njerëzore. Drejtori i Policisë së Fierit, Arjan Bozhaj, tregon se strategjia e luftës kundër trafiqeve është përqendruar në dy drejtime kryesore: në parandalimin dhe goditjen e grupeve që veprojnë nëpërmjet rrugëve detare, si dhe grupeve që përdorin rrugët tokësore, në jug të vendit. Sipas të dhënave të paraqitura nga krerë të Drejtorisë së Policisë Fier, gjatë pesë muajve të parë të vitit 2008 nuk është regjistruar asnjë rast i trafikimit të femrave dhe të miturve, por janë evidentuar dhe goditur raste të kalimit të paligjshëm të kufirit dhe shfrytëzimit të prostitucionit në lokale dhe ambiente të ndryshme publike e jopublike brenda vendit. Kështu, të dhënat statistikore të Drejtorisë së Policisë Fier tregojnë se gjatë periudhës janar-maj të këtij viti, kjo drejtori ka dërguar në Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Fier e Lushnjë 8 procese penale për veprën penale "dhënie ndihmë për kalim të paligjshëm të kufirit" dhe 5 raste të veprës penale "ushtrim prostitucioni" dhe "shfrytëzim prostitucioni".