Hetim kërcënuesve të familjes së 17-vjeçares
Policia e Korçës është angazhuar që të hetojë dokumentimin e autorit të telefonatës që pretendohet se ka kërcënuar dajën e 17-vjeçares Matilda Petriti, si denoncues i mjekut Xhavahir Hoxhallari. Këtë e deklaron shefi i Komisariatit të Korçës, Latif Kulla, sipas të cilit, nga ana e policisë lokale po bëhen të gjitha përpjekjet që të identifikohet personi që ka kërcënuar me telefon celular, me qëllim që të tërhiqet denoncimi për ndjekje penale ndaj mjekut Hoxhallari. Gjatë tri ditëve të fundit, policia e Korçës është vënë në lëvizje për të zbuluar se kush mund të ketë kryer një telefonatë anonime me numër të fshehur në celularin e Luan Adilit, dajës së 17-vjeçares Matilda Petriti. Gjithçka erdhi pasi Adili u paraqit në Komisariatin e Korçës dhe tri ditë më parë i dëshmoi një oficeri të policisë se ndihej i kërcënuar nga telefonata anonime që i kërkonin të tërhiqte denoncimin për mjekun që i operoi mbesën e që pati si përfundim vdekjen e saj. Vetë denoncuesi tha për këto telefonata anonime se në dy raste atij i janë adresuar nëpërmjet celularit sharje e kërcënime për jetën e tij e të familjes, që të tërheqë denoncimin ndaj mjekut pogradecar. "Ne do të verifikojmë nga ka ardhur kjo telefonatë, për të sqaruar nëse personi që e ka kryer atë ka lidhje të afërta me mjekun që kuroi dhe operoi vajzën dhe nëse të afërmve të 17-vjeçares po u bëhen kërcënime që të tërheqin denoncimin për ndjekje penale", është shprehur shefi i Komisariatit të Korçës, Latif Kulla. Policia ende nuk ka bërë të ditur nëse kanë dhënë rezultat verifikimet e deritanishme të saj, por tha se po mban nën mbikëqyrje dhe angazhim të vazhdueshëm rastin delikat të kërcënimit me jetë të denoncuesit të mjekut Hoxhallari.