Pranga të kërkuarit, ishte pajisur me dokument polici
Një i dënuar me 15 vjet burg ka rënë në prangat e policisë gjatë një operacioni të zhvilluar të enjten në mbrëmje. I pajisur me dokument policie, Adrian Uka i kishte shpëtuar disa herë arrestimit, ndërkohë që të njëjtën tentativë ka bërë edhe herën e fundit. Por, forcat speciale kanë pasur informacionin e duhur për të, duke mundësuar arrestimin e tij. Burimet policore të kryeqytetit bënë të ditur se mesnatën e së enjtes përfundoi operacioni policor për kapjen e të kërkuarit Adrian Uka, i dënuar me 15 vjet heqje lirie, sepse akuzohet për "shfrytëzim femrash për prostitucion në rrethana rënduese" dhe "trafikim të femrave për prostitucion". Sipas policisë, Adrian Kazi Uka, 27 vjeç, me banim në Tiranë, është dënuar në mungesë me 15 vjet burgim me vendim të datës 27 dhjetor 2007, të Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tiranë, sepse akuzohet për veprat penale të sipërcituara. Ky person u kap rreth orës 22:00 dy net më parë, te Rruga e Elbasanit në Tiranë, në afërsi të Fakultetit të Gjuhëve të Huaja, duke drejtuar automjetin tip "Ford" me targa TR5414P. "Kapja e tij u realizua falë grumbullimit të saktë të informacioneve të disponuara për të, si dhe ndërhyrjes së menjëhershme e profesionale të Sektorit të Operacioneve Speciale dhe Kërkimit në bashkëpunim me Seksionin e Antitrafikut, pranë policisë së Tiranës, mbi lokalizimin dhe bllokimin e tij", deklaroi zyrtarisht zëdhënësja e policisë së Tiranës. Sipas të njëjtit informacion, fillimisht personi i shpallur në kërkim u është prezantuar punonjësve të policisë si specialist pranë Qendrës së Studimeve të Luftës Kundër Terrorizmit dhe Krimit të Organizuar, duke u treguar edhe një dokument identifikimi të kësaj qendre, që ishte i falsifikuar në emër të shtetasit Astrit Xaka, 30 vjeç, banues në Tiranë, ku ndodhej fotografia e Ukës. Ndërkohë, atij iu sekuestruan në cilësinë e provës materiale një pasaportë e falsifikuar në emër të Astrit Xakës, si dhe një dokument tjetër identifikimi, po ashtu i falsifikuar. Në lidhje me këtë operacion, policia tha se vazhdon puna për verifikimin e dokumenteve të falsifikuara, ndërsa materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor edhe për konsumim të veprës penale të falsifikimit të dokumenteve. Sipas policisë, ndaj të kërkuarit u ekzekutua urdhri i Prokurorisë së Tiranës dhe vendimi i Gjykatës, që e ka dënuar në mungesë me 15 vjet burg. Ai është dënuar për trafikimin e një vajze, vepër penale të kryer në bashkëpunim edhe me persona të tjerë. Për këtë, togat e zeza kanë dënuar Adrian Ukën dhe Gëzim Vukajn. Ndërkohë, bashkë me ta ishte akuzuar edhe Aleksandër Sinani, por akuza ndaj tij është pushuar.