Hetim kryekomunarit, përvetësoi tokën shtetërore
Durrës, Fatmir Elezi akuzohet se ka marrë më shumë se 25.000 metra katror që duhet të ishte oborri i shkollës
DURRËS- Kryetari i komunës Gjepalaj, Fatmir Elezi, është vënën nën akuzë për përvetësim të pronës publike dhe tjetërsim të mjediseve shtetërore. Policia e Durrësit ka hetuar për disa muaj aktivitetine kryekomunarit dhe dje ka përcjellë materialet në ngarkim të tij për në prokurori. Sipas tyre, Elezi ka shfrytëzuar mandatin duke i ngushtuar hapësirën shkollës së fshatit. Madje ai nuk ka përfshirë në listën e pronave shtetërore në komunën e tij sipërfaqen e truallit prej 25.787 metër katror në komunën Gjepalaj. Në këtë sipërfaqe toke ndodhet gjithashtu edhe shkolla 9-vjeçare, oborri i së cilës është përvetësuar nga kryekomunari. Sipas burimeve të policisë, në oborrin e shkollës, vëllezërit Elezi kanë hapur një aktivitet privat që në vitin 1996, por që nga ajo kohë aktiviteti i tyre nuk është licencuar dhe në këtë mënyrë i është shmangur detyrimeve tatimore për një periudhë prej 12 vitesh. Vetë kryetari i komunës është marrë në pyetje nga oficerët e policisë gjyqësore dhe ka dhënë shpjegime në lidhje me shkakun që e ka shtyrë të mos deklarojë sipërfaqen e tokës dhe mënyrën se si ai e ka përvetësuar këtë sipërfaqe. Burime nga prokuroria e Durrësit janë shprehur se hetimet kanë nisur në kushtet e lirisë për Elezin pasi organi i akuzës nuk ka rrezik të largohet nga vendi. Nga ana tjetër nuk është thënë asgjë lidhur me deklarimet e vetë kryetarit të komunës për akuzën e shpërdorimit të detyrës.