E Shtunë, 31 Tetor 2026

Katër kandidatë për pankinën e Tiranës

Listës së gjatë të trajnerëve kandidatë për të marrë drejtimin e skuadrës së Tiranës do ti shtohen sot edhe katër emra të rinj. Sapo kanë mësuar për “tenderin” e hapur 

në kampin bardheblu për një teknik në krye të ekipit ish-kampion, zyra menaxheriale, “Vata Vision Management” ka kontaktuar me drejtuesit më të lartë të skuadrës së Tiranës. Sipas vetë përfaqësuesve të zyrës menaxheriale në fjalë, mësohet se kryetarit të përzgjedhur të donatorëve, Refik Halilit do ti sugjerohen sot plot katër emra trajnerësh të huaj. Bëhet fjalë për dy teknikë holandez Gerald va nder Lem e Chris Dekke dhe dy të tjerë kroat, Pedrag Juriç e Branko Karaçiç. Në kushtet kur drejtuesit më të lartë bardheblu kanë lënë të hapura të dyja pistat e mundshme për zgjedhjen e trajnerit të ardhshëm, qoftë atë vendase po ashtu edhe atë të huaj, ekzistojnë të gjitha mundësitë që të shqyrtohen në detaje të katër emrat e rinj që i janë shtuar listës së teknikëve. Katër kandidatura këto që i bashkëngjiten dy emrave të tjerë nga arena e huaj, gjermanit Aksel Ros dhe italianit Leonardo Menikini. Ndërkohë nga pista vendase mbetet në fuqi lista me katër kandidatët, Mirel Josa, Artan Bushati, Shpëtim Duro e Luan Sengla. Një listë me plot 10 emra kandidatësh.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›