Topi: Përplasja me Topallin për dekretet
Presidenti i Republikës, Bamir Topi flet për marrëdhëniet e tij me Kryeministrin Berisha, ndryshimet kushtetuese, dekretet si dhe për ngjarjen e Gërdecit
Disa ditë më parë keni qenë i ashpër në Himarë me problemin e ligjit të pronave dhe Ligjit 7501. Ky ka qenë i vazhdueshëm nga ana juaj. Sa shqetësues është realisht ky problem? Janë dy probleme, por të lidhura më njeri-tjetrin?
Qëndrimi im mbi pronën ka qenë një qëndrim konstant. Çështja e pronës ka evoluar në mënyrë shumë të çuditshme në Shqipëri... Kur kam thënë në Kuvend para dy tre vitesh që të rikuperojmë atë që mund të rikuperojmë, ka pasur nga ata të pozicionuar në mënyrë shumë radikale lidhur me çështjen e pronave, të cilët kanë hedhur nota kritike. Unë, duke njohur shumë mirë problemin e pronës, duke njohur dinamikën, duke njohur intensitetin e lartë të deformimit të pronave, u shpreha në atë mënyrë, duke sensibilizuar njerëzit që të shpëtonin atë që të mundnin. Unë them që edhe sot që flasim, është e mundur që të rikuperohet diçka. Them diçka, për fat të keq, sepse procesi i rikthimit të pronës në Shqipëri është një proces tashmë i deformuar, jo në gjithë territorin shqiptar. Ky është i pranishëm në periferi, në zonat urbane në periferi të Tiranës, të Durrësit...
A është zbatuar në mënyrë abuzive Ligji 7501?
Ligji 7501, doli në 1991, në kohën kur ish-kooperativat dhe fermat ishin në procesin e transformimit të tyre. Dhe Ligji 7501 konsiderohet ndryshe si “Ligji për tokën bujqësore”. I menduar si i tillë, në atë periudhë u konsiderua se pjesa e popullsisë që jetonte në fshat, të kishte një mundësi që të zhvillonte aktivitetin e tij...
A është e ndershme që ende sot me Ligjin 7501 të ndahet tokë?
Në mënyrë absolute, jo.
A është e ndershme që me këtë ligji të ndahet toka turistike në bregdet?
Në mënyrë absolute, jo. Me siguri, ju e dini se jam shprehur për këtë çështje.
Unë sot mund të flas me të dhëna konkrete. Janë të dhëna që vijnë nga institucione të shtetit. Janë të dhëna që vijnë nga qytetarët që dëshmojnë për një abuzim të dukshëm me pronën. Ende në vitin 2008. Dhe një pjesë e këtyre dosjeve janë të destinuara që të shkojnë në prokurori. Për këtë është inkurajuar edhe Prokuroria që të merret në mënyrë të efektshme, sepse deri tani nuk kemi pasur ndonjë zhvillim të dukshëm lidhur me pretendimet që kanë pasur pronarët, apo me kontrollet që ka bërë KLSH dhe institucionet e shtetit në strukturat e pushtetit vendor, ku është abuzuar më komisionet, me vendimet e tyre. Ka mjaft familje që, për fat të keq, janë në konflikte shumëvjeçare. Kjo situatë duhet patjetër që të gjejë një zgjidhje.
Në të vërtetë, problemi i pronave është një ligj i keq apo një zbatim i keq i ligjit aktual?
Unë mendoj se është më shumë kjo e dyta. Problemi nuk është shumë tek natyra e ligjit. Unë jam i bindur se ligji në vetvete ka pasur mangësitë e veta. Njerëzit kanë qenë kontestues sipas interesave që ato kanë paraqitur. Por e keqja më e madhe është se ka pasur tendenca të qarta abuziviste në zbatim të Ligjit 7501. Edhe sot e kësaj dite jo vetëm që ligji vazhdon të zbatohet, por abuzimet kane qenë të tilla që njerëzve u është hequr një pjesë e madhe e pasurisë së tyre.
Z.President, cilat janë marrëdhëniet e tua aktuale me mazhorancën? Në sensin e raporteve institucionale. A ka pasur një thyerje mes jush dhe drejtuesve të mazhorancës, që nga momenti që PD dhe PS kaluan disa ndryshime kushtetuese të menjëhershme?
Unë mendoj që jo. Që do të thotë që nuk ka pasur asnjë lloj prekje të interesave të institucionit. Në rast se do të ishte e tillë, sikurse mund të ndodhi, sikurse ka edhe debate politike dhe të ditës, atëherë të jeni të sigurt që reagimi do të jetë i qartë.
Cilat janë prekje të interesave të institucionit?
Atëherë kur institucione të tjera nuk respektojnë parimet kushtetuese, pozicionimet që i jep Kushtetuta dhe ligji, dhe mundohen të ndërhyjnë.
Ka ndonjë përplasje të këtij lloji në këto momente?
Unë kam një informacion i cili duhet konfirmuar. Më shumë informacionin e kam konsoliduar përmes një reagimi që ka pasur kryetari i PS-së lidhur me dekretimet për pesë anëtarë të Gjykatës së Lartë. Këtu ka disa raporte kushtetuese të detyrueshme për t’u zbatuar, që do të thotë së institucioni i Presidentit ka detyrimin kushtetues që të dekretoje anëtarët e Gjykatës së Lartë dhe këtë ia dërgon Kuvendit. Pra, veprimi i parë është neni 136 i Kushtetues dhe detyron Kuvendin që të japë fuqinë e tij ose jo. Që do të thotë që institucioni (Kuvendi) detyrohet që të thotë po ose jo. Pra, merr pëlqimin nga Kuvendi. Kuvendi shqiptar vepron me një rregullore. Kam qenë i detyruar që të operoj çdo ditë me atë rregullore. Neni 26 i Rregullores se Kuvendit, presupozon futjen automatike të dekreteve të Presidentit, pa marrë në konsideratë ngarkesën me programin e punës së Kuvendit. Është neni 111 po i Rregullores, që detyron që dekretet e Presidentit të shkojnë menjëherë në Komisionin e Çështjeve Ligjore dhe kjo e fundit është ajo që kërkon përputhshmërinë sipas kritereve që duhet të ketë ligji. Vetëm atëherë kalon në seancë plenare për të dhënë pëlqimin ose për të mos dhënë pëlqimin.
Në rast se Kuvendi voton negativisht, çfarë ndodh?
Do të thotë që Presidenti kalon një kandidaturë tjetër.
Një rast i ngjashëm ka qenë me znj.Gaba mos gaboj?
Jo, ka qenë një rast tjetër, ku kandidatura e Gabës nuk është marrë fare parasysh në seancë plenare.
Në këtë rast, ju e keni mbështetur mos gaboj?
Sepse kishte të dhëna relativisht të besueshme që nuk meritonte të futesh. Por këtu ka pasur patjetër një pozicionim të gabuar të Kuvendit, që mund t’i thoshte “jo” kësaj kandidature, por kurrsesi të mos futej në procedurë, sepse duhet të respektohet në mënyrë absolute procedura konstitucionale që dekreti i Presidentit ose fiton, ose rrezohet, por kurrsesi nuk mund të qëndrojë pezull, sepse krijohet një precedent padiskutim antikushtetues.
Keni kontaktuar me znj.Topalli për këtë problem?
Jo, nuk kam kontaktuar.
Si e gjykoni ju paktin PS- PD për ndryshimet kushtetuese?
Lidhur me ndryshimet kushtetuese, i kam dhënë përpara. Jo për esencën e ndryshimeve kushtetuese sesa për mënyrën dhe për kohën e shpejtë të realizimit të tyre. Sepse Presidenti i Republikës është garanti i Kushtetutës. Gjë, që në rastin konkret nuk është respektuar. Në kuptimin që Presidenti i Republikës i ka bërë thirrje partive politike që ndryshimet kushtetuese janë në vullnetin e forcave politike, ku për një pjesë kam qenë edhe unë dakord, ashtu sikurse ajo për sistemin zgjedhor.
Në cilin prej ndryshimeve ju keni qenë kundër?
Unë e kam shprehur që në bindjen time, momenti më i rëndësishëm që duhet të ishte marrë në analizë më të gjerë, duhet të ishte pikërisht mënyra e zgjedhjes së Presidentit, sepse ne do ta zgjidhim Presidentin me 50+1, që do të thotë që Presidenti do të jetë një produkt i një mazhorance politike.
Në analizën tuaj, z. President, do të ishte më mirë që Presidenti të zgjidhej nga populli?
Në mënyrë absolute, po.
Po ky ndryshim do të kërkonte edhe ndryshim të kompetencave të Presidentit?
Mund të ndryshojë ose mund të mos ndryshojë. Këtu ishte vetëm çështja e procedurës së zgjedhjes së Presidentit... Në rastin konkret, mazhorancat e thjeshta 50+1 dipendojnë të gjithë organogramën për të pasur katapultime të natyrës politike.
Këto ndryshime kushtetuese, e cenojnë funksionimin e demokracisë në vend apo jo?
Çështja e perceptimit të demokracisë është shumë relative, që ne sot jemi në një moment kur njerëzit janë bërë shumë koshientë për pozicionet e tyre dhe për raportet midis tyre... Gjithsesi, ndryshimet e natyrës kushtetuese janë shumë të rëndësishme. Sepse ndryshimet kushtetuese nuk janë ndryshime që mund të bëhen në mënyrë frekuente, ashtu sikurse për ligjet e zakonshme, sepse Kushtetuta është dokumenti themeltar që miratohet përmes një referendumi popullor...
A ka fërkime mes jush dhe znj.Topalli?
Jo.
Ka marrëdhënie të tensionuara?
Në mënyrë të dukshme, jo.
Po të padukshme?
Këtë nuk e di.
Nuk keni evidentuar asgjë të tillë?
Unë merrem me çështje të punës në tavolinë.
Z. President, cilat janë në këtë moment marrëdhëniet me Kryeministrin? Thjesht institucionale? Apo edhe më shumë?
Unë e kam thënë që me Kryeministrin kemi pasur marrëdhënie njerëzore, në bazën e komunikimit institucional. Pra, ju e dini që kanë qenë raporte ku janë respektuar pozicionet e gjithsecilit dhe në mënyrë shumë të kujdesshme. Dhe sot jemi në pozicionet që patjetër, në radhë të parë prioritet duhet t’i japim raporteve institucionale, pa harruar raportet njerëzore.
A ka një thyerje mes jush në raportet njerëzore?
Përderisa ju insistoni, dhe juve si një kanal televiziv jeni më i informuar, mund të ma thoni. Unë nuk ndiej asgjë. Raportet institucionale kanë natyrisht pjesën e vet të komunikimit. Unë besoj se përgjithësisht janë korrekte.
Kohët e fundit, keni pasur takime pune me të apo...?
Mënyrat e komunikimit janë të ndryshme. Nuk është e thënë që të kesh patjetër kontakt fizik. Ke kontakt telefonik. Ke kontakt përmes një procedure. Pra ju siguroj që marrëdhëniet institucionale vazhdojnë.
Për çështjen e Gërdecit...?
Kjo kërkon patjetër një hetim të pavarur, shumë profesional, dhe një hetim që duhet t’i shkohet deri në fund.
Ç’domethënë “me analizë të gjithë institucioneve”. Ç’kuptoni më këtë?
Besoj se çështja e Gërdecit, në kuptimin pozitiv, janë implikuar shumë institucione. Që do të thotë që aty ka pasur autoritete civile, ka pasur autoritet ushtarake, ka pasur detyrim që të jenë në funksion edhe të këtij aktiviteti, sikurse mund të ketë më dhjetëra në Shqipëri që kanë pasur dhe duhet të kishin vëmendjen e institucioneve edhe ato që kanë të bëjmë më detyrimin për informim dhe ndjekje ligjore dhe profesionale të një aktiviteti të caktuar dhe duke vazhduar deri tek strukturat më të larta. Në këtë kuptim, përderisa është një ngjarje shumë e rëndësishme, më lejoni të bëj një panoramë të qartë.