Gërdeci, Pinari refuzon drejtësinë
Ish-drejtori i MEICO-s ka refuzuar të bashkëpunojë me drejtësinë. Merret në pyetje edhe Delijorgji
TIRANË- Tre të arrestuarit e tragjedisë së Gërdecit merren në pyetje për herë të parë nga grupi i prokurorëve të ngritur enkas për këtë çështje, nga kryeprokurorja Ina Rama. Gjatë ditës së djeshme, njëra prej dhomave të takimeve në paraburgimin “Jordan Misja” ka qenë e zënë për disa orë, pasi brenda saj, me kërkesë të prokurorëve të çështjes, kanë hyrë tre protagonistët e arrestuar për tragjedinë e Gërdecit, ish-drejtori i MEICO-s, Ylli Pinari, administratori i shoqërisë “Albademil”, Mihal Delijorgji dhe kunati i tij, me detyrë drejtor ekzekutiv pranë kësaj shoqërie, Dritan Minxolli. Sipas burimeve pranë organit qendror të akuzës, mësohet se dy nga prokurorët e grupit hetimor të tragjedisë së Gërdecit, të shoqëruar nga dy oficerë të këtij grupi i kanë pyetur tre të akuzuarit për akuzat që rëndojnë mbi ta, duke i pyetur ata edhe këtë herë për shumë dyshime të ngritura që kanë dalë nga hetimi dymujor. Sipas këtyre burimeve, mësohet se të pandehurit e kanë deklaruar veten të pafajshëm, duke mohuar akuzat e ngritura nga prokuroria, ato të “shkeljes së rregullave mbi lëndët plasëse djegëse dhe radioaktive” dhe atë të “shpërdorimit të detyrës”. Ndërkohë, burimet saktësuan se i pandehuri Ylli Pinari, me detyrë ish-drejtori i MEICO-s nuk ka pranuar të bashkëpunojë me drejtësinë, duke mohuar të ketë kryer me veprime apo mosveprimendonjë vepër penale. Sipas dëshmisë së tij, thuhet se Pinari është shprehur se: “kam kryer vetëm detyrën duke respektuar urdhrat e ministrit të Mbrojtjes, rregulloret e kësaj ministrie dhe ligjin”. Po këto burime konfirmuan se nga verifikimet e kryera janë evidentuar një numër i madh objektesh të pasurisë së Ylli Pinarit të përfituara në fazën e privatizimit të pronave shtetërore, që sipas akuzës, i pandehuri ka pretenduar se i ka privatizuar të gjitha pronat e familjes që ia kishte marrë regjimi. Nga ana e prokurorisë, nuk u pranua fakti se i janë sekuestruar pronat, duke u shprehur se “pasuria e ish-drejtorit të MEICO-s Ylli Pinari po verifikohet akoma, pasi rezulton se në shumicën e pronave të evidentuara ai figuron bashkëpronar me pjesëtarët e familjes së tij”. Tre të pandehurit janë arrestuar vetëm dy ditë pas tragjedisë së Gërdecit, ku shpërthyen një sasi e konsiderueshme municionesh që solli vrasjen e 26 personave dhe mbi 300 të tjerë të plagosur. F.Vezaj