E Diel, 1 Nëntor 2026

Hetim për 5 gardianë burgu, Av.Popullit: Torturuan 2 të burgosur

Avokati i Popullit ka denoncuar në Prokurori 4 punonjës të grupit të gatshëm si dhe përgjegjësin e shërbimit në burgun 313. Përmes një deklarate për shtyp zyra e Avokatit të Popullit ka njoftuar se kërkon ndjekje penale ndaj disa punonjësve të burgut 313 në Tiranë, pas konstatimit të dhunës së ushtruar ndaj dy vëllezërve të identifikuar me inicialet A.Gj dhe P.Gj.
 

Në bazë të një hetimi të kryer nga kjo zyrë rezulton se ndaj dy vëllezërve është ushtruar dhunë.Shtetasi P.GJ është dhunuar në kohën kur transportohej për në spital tek mjeku, ndërsa vëllai i tij, A.Gj është dhunuar gjatë mbajtjes së tij në birucë nga pesë efektivë të burgut.
 

Pasi ka degjuar palët Avokati i Popullit nënvizon se "Trajtimi i të dy të arrestuarve nga punonjësit e policisë është çnjerëzor. Nga përmbajtja ky veprim është kriminal, sepse nga punonjësit e policisë janë konsumuar elementët e veprës penale të “Torturës” dhe për këtë arsye ajo duhet ndëshkuar rëndë.

Dhuna e ushtruar nga punonjësit e policisë ndaj të arrestuarit P.Gj është bërë me qëllim ndëshkimin e tij për shkak të dyshimeve që ata kishin ndaj tij për simulim si i sëmurë. Ndërsa ndëshkimi i të arrestuarit A. Gj është bërë për shkak të fyerjeve që ai ka bërë ndaj personelit të paraburgimit."

Në këto kushte institucioni i Avokatit të Popullit i ka rekomanduar Prokurorise "Fillimin e ndjekjes penale në ngarkim të punonjësve të Policisë së Burgjeve efektivë të I.E.V.P. “Jordan Misja” Tiranë, A.S, A.I, Sh.M, M. Sh dhe A.A, për veprën penale të “Torturës” e kryer në bashkëpunim.
 

Dhuna e policisë nga të shoqëruarve apo të arrestuarve mbetet një shqetësim i vazhdueshëm, problem ky që theksohej edhe në raportin e fundit të departamentit Amerikan të Shtetit për të drejtat e njeriut.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›