E Shtunë, 31 Tetor 2026

Hetime për fondin e privatizimit

Agjencia Kosovare e Privatizimit (AKP) ka kritikuar Bankën Qendrore të Kosovës (BQK), që nuk është duke kthyer fondin e privatizimit në Kosovë, por është duke e lënë jashtë vendit me një interes 0.1 për qind.

Kryetari i Bordit të AKP-së, Dino Asanaj, publikisht ka kërkuar ndihmën e Kuvendit dhe prokurorisë për çështjen e fondit të privatizimit.

“Unë besoj që rreth mjeteve të privatizimit duhet të interesohen, Kuvendi, komisionet parlamentare, ndoshta edhe Prokuroria”, ka thënë Asanaj.

Sipas tij, AKP-ja i ka dërguar 6 letra Bankës Qendrore të Kosovës për kthimin e fondit të privatizimit në Kosovë, mirëpo ende nuk kanë marr asnjë përgjigje.

Ndërkohë në bazë të ligjit kjo agjenci është institucioni i vetëm që vendos se a duhet të investohen parat e privatizimit.

Madje, vitin e kaluar AKP`ja ka marrë një vendim që këto mjete të kthehen në Kosovë, por ende nuk ka përgjigje nga BQK-ja. Asanaj thotë se ky fond vazhdon të qëndroj jashtë për një interes 0.1 për qind, ndërsa bankat komerciale në Kosovë japin kamata marramendëse prej 12 deri në 15 për qind.

“Nuk e dimë se ku mjetet janë dhe në çfarë kushte janë por vetëm dimë se janë në total 460-480 milion dhe marrim interes 0.1 për qind”, tha Asanaj.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›